Përplasje për kompetencat e Asociacionit ndërmjet Rrustemit e Demhasaj
Kompetencat e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kanë përplasur, deputetit e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi dhe analistin Arton Demhasaj, në emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë 1.
Demhasaj, tha se Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive dhe sipas tij, kjo është e “keqja e botës”.
Ai ka thënë se e rëndësishme është që përmes këtij asociacioni mos të krijohet nivel i tretë i pushtetit.
“Asociacioni ka me pas pashmangshëm kompetenca ekzekutive dhe nuk mendoj që është e keqja e botës me pas kompetenca ekzekutive. Komunat kanë kompetenca ekzekutive dhe ato kanë me u lidhe me një mekanizëm që quhet Asociacioni, Unioni… Ajo çfarë duhet me u mundu me parandalua është mos me kriju nivelin e tretë të pushtetit, pra mos me humb komunikimin e komunave që e kanë me Ministrinë e Pushtetit Lokal, qe i bie me Qeverinë dhe mos me kriju kanal të komunikimit të asociacionin direkt me qeverinë”, ka thënë Demhasaj.
Por, deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, tha se asociacioni, jo që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, por sipas Kushtetutës ai s’do të ketë asnjë lloj kompetence.
“Asociacioni me këtë Kushtetutëtë Kosovës s’mundet me pas kurrfarë kompetence. Sepse kompetenca tash ekzistojnë ato janë të Qeverisë dhe komunave. Ky Asociacion nuk mundet me pas asnjë kompetencë”, tha Rrustemi.
Ai tha se për Kosovën, Asociacioni nuk është çështja kryesore edhe pse për ndonjë palë mundët të jetë.
Në një takim të diplomacisë ndërkombëtare, emisarët nga Evropa dhe Amerika kanë prezantuar një plan të ri për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Nga kjo vizitë u tha se është propozuar edhe një draft për Asociacionin e të cilin e ka komentuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Ai ka thënë se nga ajo çfarë ka parë ky draft është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por sipas tij, nëse duhet të bëhet një i tillë atë mund ta bëjë vetëm Qeveria e Kosovës.