Përplasje për Kosovën në Helsinki, Mogherini ia kthen keq Daçiqit
Në Helsinki të Finlandës me ftesë së Federica Mogherinit janë takuar shefat e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (ER) dhe të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë takim është ftuar edhe Behgjet Pacolli si përfaqësuesi i Republikës së Kosovës, edhe pse Kosova nuk është ende vend kandidat për anëtarësim në BE.
E një gjë e tillë duket se i ka penguar Ivica Daçiqit, i cili nuk ka ngurruar që të drejtojë kritika ndaj iniciatores së këtij organizimi, Federica Mogherinit.
Sipas shefit të politikës së jashtme të Serbisë nuk ka qenë e nevojshme që të ndërrohet formati, pasi që një gjë e tillë do të shkaktojë precedent për takimet e radhës.
“Ne nuk e kuptojmë pse është ndryshuar formati i zakonshëm i takimeve. Nuk po shohim asnjë justifikim për ndryshimin e formatit”, ka thënë Daçiqi, teksa ka kritikuar Mogherinin për ftesën e Kosovës në Helsiniki.
Por këtyre fjalëve të Daçiqit u është përgjigjur menjëherë shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, duke i thënë se një gjë e tillë nuk përbën precedent, pasi që BE-ja dëshiron të diskutojë me të gjithë partnerët në rajon rreth zhvillimit të Ballkanit dhe integrimit të rajonit në BE.
“Ky është një format që e kemi shfrytëzuar për takime të ndryshme më herët. Por kjo nuk krijon një precedent, ne thjeshtë kemi dashur që të flasim me partnerët tonë në rajon për zhvillimin e Ballkanit, integrimin dhe bashkëpunimin”, ka thënë Mogherini, teksa i është kundërpërgjigjur Ivica Daçiqit.
Përgjatë këtij takimi ministror në Helsinki, Mogherini ka folur edhe për nevojën e kthimit të Serbisë dhe Prishtinës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, duke thënë është e inkurajuar nga energjia pozitive e treguar gjatë takimeve në Helsniki.
“Ne patëm një diskutim për kthimin e Beogradit dhe Prishtinës në dialogun e ndërmjtësuar nga BE-ja. Isha e inkurajuar nga atmosfera pozitive e treguar nga partnerët e Ballkanit dhe nga shtetet anëtare”, ka thënë Mogherini.
Lidhur me këtë takim në Helsinki gjatë ditës ka folur edhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, duke thënë se është i lumtur që gjendet mes miqsh dhe se BE-ja po e trajton Republikën e Kosovës sikur të gjitha shtetet tjera./Express/