Përplasje për ‘nipin’ e Besnik Bislimit në Kuvend
Kuvendi i Kosovës ka votuar pro emërimit të shtatë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).
Por, para votimit në Kuvend ka pasur përplasje në me të deputetëve lidhur me emërimin e tij në këtë këshill.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo parti nuk ka probleme personale me asnjërin nga kandidatët e propozuar nga qeveria për anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
Më tutje, Krasniqi ka thënë se ka anëtarë nga shoqëria civilen që me dy këmbë janë në Vetëvendosje.
“Nuk kemi asnjë prej nesh si grup i PDK telashe personale me njerëzit sa i përket kredibilitetit personal. Sef Bytyqi është më i miri prej krejt anëtarëve tjerë që e keni pru aty. Problemi është që e keni sjell në mënyrë të parregullt sepse s’ka qenë në listën e paramenduar. Ka të bëjë me tendencën për me instaluar nepotizimin. Asgjë s’kemi kundër njerëzve që janë marrë me këtë çështje. Ju keni anëtarë që janë në shoqëri civile, por me dy këmbë në Vetëvendosje. Mos me i shti nipat e mbesat në staf të parë. Leni për dasma qysh ju thoshte kryeministri sepse emergjenca nuk është vërtetë si arsye themelore sepse sikur të ishte kjo…”, ka thënë ai.
Më tutje, Krasniqi ka përmendur edhe rastin e Besnik Bislimit dhe nipit të tij kandidatë për anëtar të KShC-së, Gëzim Tosunit.
“Ju jeni në atë stuhinë e shkarkimeve të bordeve dhe ngarkimit të njerëzve tuaj, por të paktën respektoni procedurat. S’është e pamundshme. Shpresoj të paktën që bie ky emërim dhe takohet mas 50 vjetëve me nipin e vet se bashkimi familjar është i rëndësishëm. Shpresoj që do ta gjejnë lidhjen familjare që e kanë harruar”, është shprehur Krasniqi.
E kësaj deklarate të Krasniqit, i është kundërpërgjigjur ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci.
“Unë e kam pyetur zëvendëskryeministrin sipas diskutimeve që kemi bërë dhe ai nuk e ka nip dhe në linjë të gjakut as një kufizim siç e përcakton ligji. Nuk e ka as djalë të hallës, as djalë të dajës e as të tezes. E ka familjar të largët, por nuk po di me shpjeguar lidhjen. E ka qysh e ka Albini Glaukun”, ka thënë Nagavci.
Po ashtu edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se është shumë e rëndësishme që të dihet se çfarë e ka zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, Gëzim Tosunin.
“Është shumë më rëndësi dhe e ditë edhe publiku jashtë se kush është ky nipi i Besnikut. Kush është? Veç shpjegojeni se kush është. Askush s’po kërkon përgjegjësi as kredibilitet profesional”, ka thënë Hoxha.