Përroi i ndërgjegjes
DAVID LODGE
Zonja Dalloway tha se do të shkonte vetë për t’i blerë lulet. Sepse Ljusi kishte punë të zorshme për të bërë. Do të hiqeshin menteshat e dyerve; Rampelmejërit ishin duke ardhur. Ndërsa Klarisa Dalloway mendonte: Ç’mëngjes i freskët! – si të ishte bërë për fëmijët që shkojnë në plazh.
Çfarë dëfrimi! Çfarë kredhjeje! Si dikur në Braton, kur me një rraptimë të vogël, që i dukej se e dëgjonte ende, hapte plotësisht dritaret e stilit frëng dhe humbiste mes hapësirës ajrore. Sa i freskët, sa i lehtë dhe sa i pastër ky ajër herët në mëngjes, si goditje e valës, si puthje e valës lozonjare për një tetëmbëdhjetëvjeçare. Duke u ndier e tillë, teksa rrinte pranë dritares së hapur, parandiente se diçka e tmerrshme do të ndodhte; duke vështruar lulet, pemët, ku tymi i errët lodronte e kornetë që ngriheshin e binin, duke qëndruar dhe vështruar, derisa Piter Uolshi tha: “Ëndërrim midis perimesh?” a ishte kështu? – Dua më shumë njerëzit se lulelakrat” a ishte kështu? Këtë ai duhet ta kishte thënë një ditë, duke ngrënë mëngjes. Ishte në verandë. Piter Uolshi pritej të vinte nga India këto ditë. Në qershor apo korrik, nuk e dinte saktësisht, pasi që letrat që i dërgonte qenë mjaft të mërzitshme. Por fjalët, sytë e tij, thika e tij e xhepit, buzëqeshja e tij, ankimet e tij, dhe kur një milion pamje të jenë zhdukur – sa të çuditshme do të mbeten – si këto fjalë të pakta në mes të lakrave.[1] / VIRGINIA WOOLF, Zonja Dalloway (1925)
“PËRROI I NDËRGJEGJES” është frazë e krijuar nga psikologu William James, vëllai i romancierit, Henry James, për ta karakterizuar rrjedhën e vazhdueshme të mendimit dhe ndjesisë në mendjen e njeriut. Më vonë ajo u huazua nga kritikët letrarë për të përshkruar një lloj të veçantë të fiksionit modern që u përpoq të imitonte këtë proces, të ilustruar, ndër të tjerë, nga James Joyce, Dorothy Richardson dhe Virginia Woolf.
Natyrisht, romani gjithmonë është shquar për përshkrimin e brendshëm të përvojës. Cogito, ergo sum (“Mendoj, prandaj jam”) mund të jetë motoja e tij, megjithëse cogito e romancierit përfshin jo vetëm arsyeshmërinë, por edhe emocionet, ndjesitë, kujtimet dhe fantazitë. Autobiografët e Defosë dhe letërshkruesit e Richardsonit, në fillim të zhvillimit të romanit si formë letrare, ishin vetëvëzhgues obsesivë. Romani klasik i shekullit të nëntëmbëdhjetë, nga Jane Austen te George Elioti, kombinoi paraqitjen e personazheve si qenie shoqërore, me analizën subtile dhe të ndjeshme të jetës së tyre të brendshme morale dhe emocionale. Megjithatë, nga fillimi i shekullit (e shihni te Henry Jamesi), realiteti gjithnjë e më shumë u vendos në ndërgjegjen personale, subjektive të vetes individuale, dhe ishte i paaftë ta transmetojë përvojën e plotë te të tjerët. Thuhet se romani i përroit të ndërgjegjes është shprehje letrare e solipsizmit, doktrinës filozofike, se asgjë nuk është më reale përveç ekzistencës së vetes; por njësoj mund të argumentojmë se ai na liron nga ajo hipotezë e frikshme dhe na mundëson qasje imagjinative në jetën e brendshme të qenieve të tjera njerëzore, edhe nëse ato janë fiksione.
Padyshim, ky lloj romani është i prirë t’i paraqesë personazhet më simpatikë, vetja e të cilëve ekspozohet në opinion, sado që mendimet e tyre herë pas here janë të kota, egoiste apo të poshtra ose, ta themi ndryshe, zhytja e vazhdueshme në mendjen e një personazhi krejtësisht josimpatik është e padurueshme si për shkrimtarin ashtu edhe për lexuesin. Zonja Dalloway është rast interesant në këtë pikë, sepse heroina e këtij romani u shfaq si personazh minor në romanin e parë të Virginia Woolfit, The Voyage Out (Udhëtimi jashtë) (1915). Aty autorja përdor një metodë narrative më tradicionale për të dhënë një portret shumë satirik dhe paragjykues të Klarisa Dalloway dhe burrit të saj, si anëtarë snobë dhe reaksionarë të klasës së lartë britanike.
Për shembull, zonja Dalloway në personifikimin e mëparshëm përgatitet të prezantohet me një studiues të quajtur Ambrose dhe gruan e tij:
Zonja Dalloway, me kokën anash, bëri çmos t’i kujtohej nëse Ambrose – ishte mbiemër? – por s’ia doli. U merakos nga ajo çfarë dëgjoi. E dinte se studiuesit martoheshin me gjithkënd – me vajzat që takonin në ferma, në festa leximi; ose gra të parëndësishme të rretheve që bezdisshëm thoshin: “Sigurisht, e di që burrin tim do, jo mua” Por, në atë çast hyri Helena dhe zonja Dalloway e pa se, megjithëse dukej ekscentrike, ajo nuk ishte e shkujdesshme, e mbante veten mirë dhe kontrollonte zërin, gjë që e konsideronte si shenjë të një zonje.
Këtu tregohet se çfarë po mendon zonja Dalloway, por stili në të cilin kallëzohen mendimet e saj, i vë ata dhe atë, në distancë ironike dhe i gjykon në heshtje. Ka prova se kur Virginia Woolf filloi të shkruante përsëri për këtë personazh, fillimisht kishte të njëjtin qëllim kuazi-satirik, por në atë kohë ajo iu përkushtua romanit të përroit të ndërgjegjes dhe kjo metodë e çoi, pashmangshëm, te një portret shumë më simpatik i Klarisa Dallowayit.
Ekzistojnë dy teknika kryesore për paraqitjen e ndërgjegjes në prozë. Njëra ka të bëjë me monologun e brendshëm, ku subjekti gramatikor i diskursit është “unë” dhe ne sikur dëgjojmë personazhin duke shprehur me fjalë mendimet e tij ose të saj derisa ato ndodhin. Këtë metodë e shqyrtoj në kapitullin tjetër. Metoda tjetër, e quajtur stil i zhdrejtë i lirë, kthehet deri te Jane Austen, por u përdor me shtrirje dhe mjeshtri të madhe nga romancierët modernë si Woolf. Kjo metodë mendimin e kthen në ligjëratë të zhdrejtë (në vetën e tretë, në kohën e shkuar), por i përmbahet llojit të fjalorit që i përshtatet personazhit dhe heq disa etiketa, si “mendoi ajo”, “u çudit ajo”, “ajo pyeti veten” etj. që në stilin e rrëfimit më formal do të ishin të nevojshme. Kjo krijon iluzionin e një qasjeje më intime në mendjen e personazhit, por pa lejuar pjesëmarrjen e plotë të autorit në diskurs.
Fjalia e parë e romanit është: “Zonja Dalloway tha se do të shkonte vetë për t’i blerë lulet”: kjo është deklaratë e narratores autoriale, por është jopersonale dhe e pakuptueshme sepse nuk shpjegon se kush është zonja Dalloway dhe pse i duhej të blinte lule. Futja e befasishme e lexuesit në mes të një jete të zakonshme (përmes një procesi konkluzionesh ne gradualisht krijojmë biografinë e heroinës) e tipizon paraqitjen e ndërgjegjes si “rrjedhë”. Fjalia pasuese, “sepse Ljusi kishte punë të zorshme për të bërë”, e zhvendos fokusin e rrëfimit në mendjen e personazhit duke shfrytëzuar stilin e zhdrejtë të lirë dhe heq etiketën e ndërfutjes autoriale, “Zonja Dalloway reflektoi”; ajo i referohet shërbëtores në emër, siç do ta bënte edhe vetë zonja Dalloway, e jo me anë të funksionit të saj; dhe përdor shprehje të rastësishme, bisedore, “të zorshme për të bërë”, që i përket stilit të të folurit të vetë zonjës Dalloway. Edhe fjalia e tretë ka të njëjtën formë. E katërta kthehet pak prapa drejt formës autoriale për të na njoftuar me emrin e plotë të heroinës, si dhe me kënaqësinë që ndien atë mëngjes të bukur vere: “Ndërsa Klarisa Dalloway mendonte: Ç’mëngjes i freskët! – si të ishte bërë për fëmijët që shkojnë në plazh” (Kursivi im.)
Thirrjet pasuese, “Çfarë dëfrimi! Çfarë kredhjeje!” në shikim të parë duken si monolog i brendshëm, por këto reagime, ndaj mëngjesit në Westminster teksa shkon për të blerë lule, nuk janë të heroinës së pjekur. Ajo e kujton veten në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare kur e kujtonte veten fëmijë. Ose, ta themi ndryshe, imazhi i evokuar nga mëngjesi i Westminsterit, “i freskët, si të ishte bërë për fëmijët që shkojnë në plazh”, i kujton asaj se si do t’i vinin ndër mend metafora të ngjashme, të fëmijëve që dëfrehen në det, ndërsa ajo “kridhej” në ajrin e freskët e të qetë në një mëngjes veror në Barton (supozojmë në një shtëpi fshati), “si goditja e valës; si puthja e valës”, ku ajo do të takonte dikë të quajtur Peter Walsh (aludimi i parë në storje). E vërteta dhe metaforikja, koha e tashme dhe kohët e shkuara, ndërthuren dhe ndërveprojnë në fjali të gjata, komplekse, ku çdo mendim ose kujtim nxit tjetrin. Realisht, Klarisa Dalloway nuk mund të mbështetet gjithmonë në kujtesën e saj: “Ëndërrim midis perimesh?” – a ishte kështu?
Fjalitë jenë komplekse, por ato, përveç dëshmisë së stilit të zhdrejtë të lirë, janë të mirëformuara dhe kanë ritëm elegant. Virginia Woolf ka kontrabanduar, pa u vërejtur, nga elokuenca lirike e saj në rrjedhën e ndërgjegjes së zonjës Dalloway. Nëse këto fjali i zhvendosim në vetën e parë, ato do të dukeshin shumë më letrare dhe do të konsideroheshin të pranueshme si transkriptim i mendimeve të rastësishme të dikujt. Vërtet do të tingëllonin si shkrim i kujtimeve autobiografike me stil të rrallë:
Çfarë dëfrimi! Çfarë kredhjeje! Si dikur në Braton, kur me një rraptimë të vogël, që më dukej se e dëgjoja ende, hapja plotësisht dritaret e stilit frëng dhe humbisja mes hapësirës ajrore. Sa i freskët, sa i lehtë dhe sa i pastër ky ajër herët në mëngjes, si goditje e valës, si puthje e valës lozonjare për një tetëmbëdhjetëvjeçare që isha. Duke u ndier e tillë, teksa rrija pranë dritares së hapur, parandieja se diçka e mrekullueshme do të ndodhte…
Për mendimin tim, monologët e brendshëm të romanit të mëvonshëm të Virginia Woolfit, Valët, vuajnë nga një artificialitet i tillë. James Joycei ishte eksponent më i shkathtë i asaj mënyre të paraqitjes së rrjedhës së ndërdijes.
Përktheu nga anglishtja: Meliza Krasniqi. Marrë nga numri 20 i revistës “Akademia”.
[1]Zonja Dalloway, Virginia Woolf, Skanderbeg books, Tiranë, 2004, përktheu Dorjan Kroqi.