Përse dramat e Brechtit vihen në skenë në mbarë botën?
Më 10 shkurt 2023 u shënua 125-vjetori i shkrimtarit e dramaturgut gjerman Bertolt Brecht. I dëbuar prej nazistëve, Brecht jetoi për 15 vjet në emigracion. Heronjtë e tij ishin gjithmonë njerëzit e thjeshtë.
Qyteti i lindjes i Brechtit, Augsburgu, në 125-vjetorin e lindjes e nderon atë me një festival nën moton “Worldwide Brecht”, sepse shkrimtari, prej kohësh është kthyer në një ndër autorët më të frekuentuar në skenat e mbarë botës.
Opereta e tij Opera për tri grosh, shkruar më 1928, është ndër shfaqjet muzikore të vëna më shpesh në skenë në mbarë botën. Me këtë vepër Brechti pushtoi jo vetëm skenat në Britaninë e Madhe dhe në ShBA, por edhe në Japoni, Togo e Poloni, ku veprat e tij vazhdojnë të vihen edhe sot e kësaj dite në skenë. Opera për tri grosh trajton problemet e kohës kur Brechti jetonte, por që janë aktuale edhe sot. Personazhet sjellin në skenë një botë ku një hajdut xhepash duket njeriu më i ndershëm dhe parimor e korrupsioni dhe vjedhja kanë arritur kulmin duke kapur majat: kryepolici është kryemafiozi dhe koka e rrjetit kriminal.
Në qendër të Operës për tri grosh është figura e Meki Thikës, një gangster që me bëmat e paudhësitë e tij imponohej duke fituar pushtet. Motivi është marrë nga figura fiktive Kapiteni Macheath e trajtuar si nga John Gays te Opera e lypsarit. Brechti e ripërdori këtë figurë në veprën e tij. Që në hapje të operetës shfaqet direkt karakteri i Meki Thikës me strofën të shoqëruar nga muzika e Kurt Weilit:
Peshkaqeni ka dhëmbë, që i mban dukshëm në fytyrë
Ndërsa Macheath mban një thikë, që ju s’mund ta shihni kurrë
Ah, nga kreshta e skuqur e peshkaqenit e kupton kur është i përlyer në gjak
Por Meki Thika mban doreza që paudhësia të mos diktohet aspak”
Edhe te Nënë kurajo dhe fëmijët e saj (1941) në fokus janë njerëzit e përvuajtur të shoqërisë. Në të bëhet fjalë për një nënë që përpiqet t’i nxjerrë fëmijët e saj shëndosh prej luftës. Në Lome, regjisori Ramsès Alfa e ka vënë në skenë këtë shfaqje – që është gjithashtu një ndër pjesët më të njohura të Brechtit. Ramsès Alfan thotë se kjo pjesë i kujton atij ndihmëset e të korrave në fushat e lajthive në Togo, të cilat me fëmijët në kurriz punojnë në vapën përvëluese për një pagë sa për një kafshatë bukë. Ose ia kujton shitëset e rrugës në kryeqytetin Lome, të cilat në kërkim të klientëve lëvizin me ngarkesë të rëndë me limonada, fruta apo stofra duke trokitur derë më derë shtëpive për të siguruar të ardhura sado pak sa për të mbajtur frymën e familjes.
Por, jo vetëm në Togo, edhe në Japoni Brechti është mjaft i njohur. Sipas hulumtimeve të studiueses Monika Ayugai nga Universiteti i Qytetit të Nju-Jorkut, në fillim të shekullit XXI Brecht renditej fare pranë Shekspirit [William Shakespeare]. Në emigracion Brecht është marrë me letërsinë japoneze. I ftuar te kolegia e tij Hella Wuolijoki në Finlandë, zbuloi dramën japoneze Historia e trishtë e një gruaje, historia e Çink Okiçit, në të cilën një geishë në shekullin XIX josh një konsull nga ShBA-ja, për të shpëtuar qytetin e saj Shimoda nga sulmet e amerikanëve, por atë e poshtërojnë si tradhtare. Brechti nisi ta përkthejë këtë pjesë, u mrekullua nga fati i punonjëses së seksit të cilën pavarësisht aktit të saj heroik shoqëria e poshtëron.