
Përse kemi nevojë për UÇK-në sot!
Shkruan: Adri Nurellari
Në vitet e fundit, Kosova po përballet me një krizë të heshtur, por të thellë besimi që po pa manifestohet nëpërmjet largimit masiv të qytetarëve të saj. Ky fenomen nuk është më vetëm tregues i mungesës së mundësive ekonomike, por simptomë e një dështimi më të gjerë ideologjik dhe shpirtëror që po lëkund themelin moral të shtetit
Të dhënat janë të qarta e dramatike. Vetëm gjatë vitit 2023, 45568 qytetarë të Kosovës morën për herë të parë leje qëndrimi në një vend të Bashkimit Evropian. Pra zëre se kanë marrë rezidencë në BE në një komunë e tërë e mesme e përmasave të Rahovecit, Malishevës apo Suharekës. Këtu duhet kuptuar që në këtë shifër nuk përfshihen ata qytetarë të Kosovës që mund të kenë marrë leje qëndrimi në Zvicër, Britani të Madhe, USA e vende të tjera që nuk janë pjesë e BE-së. Po ashtu nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 e deri në 2023, 57155 qytetarë kanë hequr dorë zyrtarisht nga shtetësia e Kosovës. Dhe për të bërë edhe më dramatik bilancin, 251 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje vullnetare brenada dy vitesh, duke i kthyer kurrizin jo thjesht një kontrate pune, por një ideali të mbrojtjes së Kosovës për të cilin dikur u rreshtuan dhe u betuan. Këto nuk janë thjesht shifra, janë sinjale se për një pjesë të madhe të popullsisë, shteti nuk po funksionon më si projekt i përbashkët shoqëror.
Në këtë klimë të rëndë pasigurie për të ardhmen, shpopullimi masiv dhe krize besimi, është normalizuar edhe një nga dramat më të mëdha etike dhe politike të Kosovës: mbajtja prej pothuaj pesë vitesh në paraburgim e liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një proces gjyqësor të zvarritur, të dyshimte dhe të tejmbushur me parregullsi. Një dramë e tillë në çdo shoqëri me ndërgjegje të shëndetshme do të kishte ngjallur ndjeshmëri dhe revoltë kolektive , ndërsa në Kosovë po kalon në heshtje, sikur të mos ishte asgjë.
Përpjekjet për të relativizuar luftën, për ta barazuar viktimën me agresorin, janë sot më të fuqishme se asnjëherë më parë në opinionin ndërkombëtar dhe kujtesa e UÇK-së është kundër-narrativa jonë për t’u përballur me këtë ofensivë të heshtur propagandistike kundër shtetit tonë. Në këtë këndvështirm UÇK-ja nuk është vetëm lavdi por edhe mburojë. Ajo na mbron nga përpjekjet për të rishkruar historinë me lapsin e oportunizmit politik në një kohë kur edhe krimet e luftës po harrohen dhe kur edhe Serbia rehabilitohet si faktor i “qetësisë rajonale”. Në këtë pesimizëm kolektiv mbase kujtesa për UÇK-në duket më e largët se kurrë por pikërisht për këtë arsye, edhe është më e domosdoshme se ndonjëherë më parë. Jo si formacion i armatosur për luftë të re çlirimtare, por si frymë kolektive, si shtyllë e vetëdijes sonë historike, dhe si shembull i asaj që ky popull ka arritur kur është bashkuar përtej frikës, dëshpërimit dhe përçarjes.
Në këtë udhëkryq të rrezikshëm të ndërgjegjes ku Kosova po hyn, neve na duhet të rikujtojmë UÇK-në jo për nostalgji e për të mbetur peng të së kaluarës, por për të mbrojtur vlerat që e bënë të mundur lirinë. Në një kohë kur sfidat janë më të sofistikuara se kurrë, vetëm trashëgimia e saj na ndihmon të mos harrojmë kush jemi, për çfarë luftuam dhe çfarë nuk duhet të humbasim. Në këtë aspekt, UÇK-ja nuk duhet parë si vetëm një kapitull i lavdishëm historik por si udhërrëfyes për të ardhmen, si një lloj busulle morale dhe burim frymëzimi për të avancuar përpara pa harruar nga kemi ardhur. Prandaj sot, ndoshta më shumë se kurrë, kemi nevojë për UÇK-në për të ndërtuar një të ardhme me guxim, dinjitet dhe vetëbesim dhe ajo që është më e rëndësishme, për ta rikthyer idealin në qendër të jetës publike.
Së pari në një shoqëri ku gjithçka po relativizohet e zhvlerësohet, edhe patriotizmi, edhe morali, edhe historia, edhe përgjegjësia, kujtimi për UÇK-në është antidoti më i mirë ndaj këtij cinizmi të përgjithshëm. UÇK-ja është prova e gjallë se edhe më të dobëtit, në kushte gati të pamundura, mund të ndërrojnë rrjedhën e historisë me guxim, besim dhe idealizëm. Kjo është një trashëgimi që vlen si një hartë për brezat e përhumbur të sotshëm që kërkojnë rrugën mes kaosit institucional, boshllëkut ideor dhe dominimit të kulturës së spektaklit.
Sot, të rinjtë shohin shpresën si diçka pasive, si të ishte lotari, një fat që ose ndodh, ose jo. Por UÇK-ja ishte shpresa në veprim, ishte përpjekja kolektive për të mos pranuar më realitetin si fat. Në vend të shpresës abstrakte, ajo ofronte aktin e vendosmërisë: të luftosh, të organizohesh, të mos dorëzohesh. Si e tillë mund të vlejë si shkollë stoicizmi për ata të rinj që emigracionin e shohin si rrugëdaljen e vetme për çdo vështirësi të jetës së përditshme në Kosovë. Fundja, UÇK-ja nuk u përbë nga superheronj apo elita, por nga mësues, fshatarë, studentë, etj. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme historike e bërë nga njerëz të zakonshëm në rrethana tejet sfiduese . Ky është mesazh për brezat e rinj: historia nuk pret leje, nuk ndodh vetëm në kryeqytete, dhe as nuk është pronë ekskluzive e liderëve të partive.
Për më tepër fryma e UÇK-së na kujton që liria nuk ishte dhuratë, por sakrificë. Prandaj liria e pavarësia që gëzojmë sot duhet të administrohet me përgjegjësi dhe përkushtim, jo të shfrytëzohet për përfitime personale. UÇK-ja ishte një projekt i idealit, jo i privilegjit dhe në këtë kohë kur shumë politikanë ndjekin interesa të ngushta të politikës ditore, UÇK-ja mbetet dëshmi se sakrifica dhe ideali janë më të forta se çdo kalkulim pushteti.
Gjithashtu, në këtë kohë kur retorika politike është shndërruar në armë përçarjeje, dhe ku kundërshtari trajtohet si armik i përbetuar e jo si rival në mendim, , vlen të kujtohet se lufta çlirimtare përfaqësonte të kundërtën e kësaj fryme. Lufta ishte akti më sublim i historisë sonë bashkëkohore që i bashkoi shqiptarët përtej bindjeve, përkatësive dhe dallimev, dhe ajo frymë bashkimi e bashkëpunimi na nevojitet edhe sot. Nga Tropoja në Drenicë, nga Presheva në Tetovë, nga Malësia e deri te diaspora jonë në lagjet e Nju Jorkut apo qytetet e Zvicrës UÇK-ja ishte përbashkuesja e vetme në një komb të copëzuar në pesë shtete. Apo siç e tha Kadareja “Ra ky mort e u pamë” dhe të gjithë shqiptarët u bashkuan në një moment tragjik të historisë së tyre.
Fatkeqësisht, shumë nga përfitimet reale që rrjedhin nga kujtesa e luftës çlirimtare – si ndjenja e përbashkët e identitetit, frymëzimi për sakrificë, vetëbesimi përballë sfidave dhe legjitimiteti moral i shtetësisë – nuk po shfrytëzohen siç duhet sot. Një nga arsyet thelbësore është kompleksi i pashprehur, por i pranishëm, që ka një pjesë e madhe e shoqërisë ndaj faktit se nuk mori pjesë në UÇK, apo që në atë kohë qëndroi në distancë, në pritje, në frikë, apo në arrati.
Ky kompleks e ka bërë më të vështirë pranimin e rolit historik të UÇK-së si përbashkues kombëtar, sepse shpesh ngatërrohet pranimi i vlerës së një ngjarjeje me nevojën për t’u identifikuar personalisht me të. Por ky është një kurth i panevojshëm emocional dhe politik të cilën demokracitë perëndimore e kanë tejkaluar prej kohësh duke pranuar se kujtesa e rezistencës është pronë e të gjithëve, jo vetëm e atyre që mbajtën armët.
Në të gjitha vendet e Europës demokratike, kujtesa kombëtare është ndërtuar jo mbi numrin e atyre që luftuan, por mbi drejtësinë morale të atyre që rezistuan. Fatkeqësisht në shumicën dërrmuese të vendeve të pushtuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, rezistenca ishte numerikisht shumë më e vogël sesa përmasa e kolaboracionistëve.
Kështu për shembull, historia e pasluftës në Francë është karakterizuar nga një historiografi, kurrikulë mësimore, kinematografi dhe ligjërim publik që glorifikonte Rezistencën Franceze, edhe pse ajo ishte numerikisht e papërfillshme në krahasim me masivitetin e bashkëpunimit të popullsisë me regjimin e Vichy-t. Në rastin më të mirë, rreth 200 mijë vetë, ose rreth 0.5% e popullsisë së kohës, ishin të përfshirë në aktivitetet e Rezistencës, e cila pati rol thelbësor kryesisht në sigurimin e informacioneve për aleatët anglo-amerikanë dhe në sabotimin e prapavijave naziste.
Në Norvegji, regjimi kolaboracionist i Vidkun Quisling, i instaluar pas pushtimit gjerman në vitin 1940, u bë simbol i zellit për të shërbyer interesave të pushtuesit në dëm të popullit të vet. Megjithëse bashkëpunimi me nazistët ishte i përhapur, Norvegjia zgjodhi të ndërtojë vetëdijen kombëtare të pasluftës mbi veprat e rezistencës civile dhe të armatosur – nga sabotimet në linjat e furnizimit gjerman, deri te fshehja e refugjatëve dhe organizimi i qelizave të fshehta të qëndresës. Rezistenca, megjithëse një pakicë thuajse e padukshme, është përjetësuar si baza morale mbi të cilën u ndërtua identiteti kombëtar.
Në Holandë, statistikat janë po aq domethënëse: kishte rreth 100 mijë bashkëpunëtorë të regjistruar me pushtuesin nazist (kryesisht në organizatën NSB), ndërsa rezistenca aktive përfshinte më pak se 20 mijë vetë.Sidoqoftë, narrativa historike kombëtare u fokusua te guximi i atyre që strehuan hebrenjtë, organizuan sabotime dhe denoncuan krimet naziste. Figura si Ana Frank, bashkë me rrëfimet e mbijetuarve, janë bërë pjesë e muzeve, arsimit dhe simboleve të identitetit holandez, ndërsa kolaboracionistët janë përjashtuar nga kujtesa zyrtare si figura të turpshme.
E njëjta gjë vlen edhe për Greqinë, ku brezat që nuk kanë qenë pjesë e ELAS-it apo EDES-it sot ndihen krenarë për atë qëndresë historike. Rezistenca greke nuk ishte e lehtë dhe jo gjithmonë e bashkuar politikisht, por në memorien kolektive, ata që luftuan për çlirim nderohen si heronj, dhe rezistenca është kthyer në themel të identitetit kombëtar, e përmendur në shkolla, festa shtetërore dhe ligjërimin publik. Ndërkohë, bashkëpunëtorët që morën pjesë në qeveritë kukull të vendosura nga nazistët u përballën me drejtësinë dhe u përjashtuan nga kujtesa zyrtare si figura përçmuese.
Shembujt nga Evropa e pasluftës tregojnë se identiteti kombëtar nuk ndërtohet mbi numrin e atyre që heshtën apo bashkëpunuan, por mbi dinjitetin e atyre që guxuan të kundërshtojnë tiraninë. Nderimi i tyre për luftëtarët e lirisë s’ka ardhur vetëm nga bashkëluftëtarët apo familjarët e tyre, por nga mbarë shoqëria përfshi brezat që s’kishin marrë pjesë në luftë, por që e kuptuan se historia ka një anë të drejtë dhe një anë të turpshme.
Në të gjitha këto vende, ndarja midis atyre që nuk u përkulën dhe atyre që bashkëpunuan nuk është lënë në mjegull. Është një ndarje e prerë, e qartë dhe edukative: nderimi u përket atyre që mbrojtën lirinë dhe jo atyre që e shitën për privilegje të përkohshme. Edhe kur rezistenca ishte më e vogël numerikisht, ishte më e madhe moralisht. Kjo është arsyeja pse asnjë vend demokratik evropian nuk e ka ndërtuar kurrë identitetin kombëtar mbi kolaboracionistë ose nuk glorifikon pasivitetin. Edhe për Kosovën, trashëgimia e UÇK-së nuk është thjesht kapitull historik, por baza morale që e legjitimon si shtet i dalë nga sakrifica dhe jo nga kompromiset.
Ky pra është modeli evropian që duhet të ndjekë edhe Kosova. Për të kapërcyer kompleksin e mospjesëmarrjes në luftën çlirimtare, nuk nevojitet as shfajësim dhe as justifikim personal, por thjesht ndershmëri dhe mirëkuptim historik: pranimi se lufta ishte veprimi i drejtë dhe i domosdoshëm në rrethanat e kohës, dhe se sot është detyrë e përbashkët ta ruajmë dhe ta transmetojmë atë si trashëgimi që na bashkon (pavarësisht se çfarë roli kishte dikush atëherë). Kujtesa nuk është për të ndarë shoqërinë në “ata” dhe “ne”, por për të ndërtuar një “ne” më të gjerë dhe më të qëndrueshme si komb.
Vetëm kështu, e vërteta historike shndërrohet në themel të përbashkët të identitetit dhe unitetit, dhe jo në barrë psikologjike që përdoret për të justifikuar ndarjet e së kaluarës apo përplasjet e politikës ditore. Për të mbijetuar si projekt kombëtar e shtetëror Kosova ka nevojë për një gjeneratë që nuk emigron larg sfidave, por që rikthen në vlerë atë që po lihet në harresë, kujtesën, përgjegjësinë dhe idealin e UÇK-së që dikur frymëzoi një popull të tërë për t’u ngritur në këmbë dhe fitoi zemrat e gjithë botës demokratike.