Përse nuk i mbron Shqipëria të akuzuarit në Gjykatën e Hagës?
Shkruan: Anisa Bahiti
Tashmë kur kanë kaluar disa muaj nga arrestimi i autoriteteve më të larta të Kosovës dhe dërgimi i tyre në Gjykatën Speciale në Hagë, për “krime lufte”, gjërat janë disi më të qarta.
Bëhet fjalë për disa dosje që përfshijnë akuza të viteve 1998-99 në Kosovë dhe në Shqipëri.
Nën akuzë janë vënë drejtues të lartë politikë të UÇK-së dhe disa ushtarakë. Mes tyre përmendim Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, deputetë pas viteve 2000 etj.
Tirana zyrtare dhe politike i ka dënuar arrestimet dhe i ka përkrahur ata, por në të njëjtën kohë, si Ponc Pilati, ka shprehur besimin se do të ketë “gjykim të drejtë” nga një autoritet i tillë gjyqësor. Këtu nis edhe hipokrizia politike e cila është edhe më thellë se kaq.
Kryeministri Edi Rama kudo që shkon, përmend Presidentin Thaçi si “babain e Kosovës” dhe mezi pret që ai të dalë i pastër e të kthehet i lirë. Pak a shumë, por me tone të zbutura, të gjithë politikanët e Tiranës, mbajnë të njëjtin qëndrim.
Ndërkohë janë dy çështje do të duhej që Tirana zyrtare të merrte qëndrim të qartë në këtë proces drejtësie.
E para; duket qartë se dosjet e Serbisë duan t’a bëjnë “pis” Shqipërinë me përdorimin e territorit të saj në vitet 98-99 nga UÇK.
E dyta; Hashim Thaçi është qytetar i Tiranës me pasaportë shqiptare, pra shtetas shqiptar. Njëherësh edhe Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi. E njëjta gjë vlen për Rexhep Selimin. Ky i fundit ka vetëm një ndryshim. Është edhe qytetar i Kavajës. Mjafton një kërkim në regjistrin e gjendjes civile dhe vërtetohet fare lehtë.
Po përse atëherë Shqipëria jep mbrojtje verbale dhe nuk lëviz qoftë edhe gishtin ligjërisht?
E thjeshtë. Parimi i Ponc Pilatit!
Keqardhje me fjalë dhe me fakte nuk është puna ime, por e Kosovës. Nëse do ishte kështu, dakord ka logjikë. Por të paktën mjaft me lot krokodili për çlirimtarët dhe për Kosovën!
Anisa Bahiti- MAJ 2021 ✍??