Përse po pezullohet vaksinimi me AstraZeneca?
Dhjetëra vende, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Italinë, kanë pezulluar përkohësisht përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit. Kjo ka ndodhur pas raporteve të javës së kaluar se disa njerëz në Danimarkë dhe Norvegji kanë pësuar mpiksje gjaku, pas vaksinimit.
Megjithatë, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kanë thënë se të dhënat në dispozicion nuk sugjerojnë se vaksina ka shkaktuar mpiksjen dhe se njerëzit duhet të vazhdojnë të imunizohen.
Çfarë ka ndodhur?
Danimarka është bërë javën e kaluar vendi i parë që ka ndaluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit, pas raporteve për mpiksje gjaku te disa njerëz. Një person, madje, ka vdekur si pasojë e trombozave të shumta, dhjetë ditë pasi është vaksinuar me dozën e parë të AstraZeneca-s.
Autoritetet shëndetësore daneze kanë thënë se pezullimi do të zgjasë së paku dy javë, derisa rastet të hetohen. Megjithatë, ato kanë theksuar se “aktualisht, nuk mund të konstatohet nëse ekziston ndonjë lidhje midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut”.
Norvegjia, Islanda, Bullgaria, Tajlanda dhe Kongo shpejt e kanë ndjekur shembullin.
Gjermania, Franca dhe Italia ndaluan shpërndarjen e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit, pas disa incidenteve me mpiksje gjaku.
Ato iu bashkuan disa vendeve më të vogla evropiane, që po ashtu ndaluan imunizimin me këtë vaksinë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, megjithatë, tha se nuk ka ka prova që sugjerojnë se incidentet me mpiksje gjaku janë shkaktuar nga vaksina.
Ajo tha se është duke i analizuar raportet për probleme, por shtoi se është e rëndësishme që vaksinimi të vazhdojë.
Ministria e Shëndetësisë e Gjermanisë tha të hënën se do të ndalojë administrimin e vaksinës AstraZeneca, pas rekomandimit të Institutit Paul Ehrlich (PEI) – autoritetit gjerman për vaksinat.
“Pas raporteve të reja për tromboza të venave cerebrale, PEI konsideron se janë të nevojshme hulumtime të mëtejshme”, tha Ministria gjermane e Shëndetësisë.
Menjëherë pas, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se vendi i tij e pezullon përdorimin e vaksinës AstraZeneca, derisa të jepen këshilla të reja nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), të martën pasdite.
Italia po ashtu zgjati ndalesën mbi AstraZeneca-n, deri në vendimin e EMA-s.
Më herët, përdorimin e kësaj vaksine e pezulluan edhe Holanda, Republika Irlandeze, Danimarka, Norvegjia, Bullgaria, Islanda e vende të tjera.
Rreth 17 milionë njerëz në Bashkimin Evropian dhe në Mbretërinë e Bashkuar e kanë marrë tashmë vaksinën AstraZeneca.
Kompania AstraZeneca, që ka zhvilluar vaksinën në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, tha se më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut janë raportuar që nga java e kaluar.
AstraZeneca ka thënë më herët se siguria e ilaçit është studiuar gjerësisht gjatë provave klinike./ REL