
Përsëri shtim të rasteve me koronavirus në Gjermani
Instituti për Sëmundje Ngjitëse “Robert Koch” ka njoftuar se gjatë 24 orëve të kaluara në Gjermani janë shënuar gjashtë të vdekur nga koronavirusi. Një ditë më parë u shënuan 12 viktima. Në këtë mënyrë, numri i përgjithshëm i viktimave të sëmundjes së re në ekonominë më të fuqishme evropiane shkoi në 9 368, shkruan “The Guardian”, transmeton “Express”.
Përpos rasteve fatale, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 1 901 infektime të reja dhe shifra e përgjithshme e të prekurve shkoi në 263 663. Një ditë më parë u shënuan 1 407 raste. Ndryshe, qeveria gjermane tashmë i ka larguar kontrollet kufitare me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe me disa vende të tjera.
Ndonëse është në mesin e shteteve evropiane me numrin më të lartë të personave të infektuar, Gjermania ka regjistruar shumë më pak viktima se Britania e Madhe, Franca, Italia e Spanja.