Përshkallëzohet situata në Venezuelë
Situata në Venezuelë është përshkallëzuar, pasi mbështetësit e liderit opozitar Juan Guaido dolën sërish për të protestuar, ndërkaq forcat e presidentit të kontestuar Nicolas Madura ndërhynë dhunshëm për t’i shpërndarë protestuesit.
Në një video-incizim paraqitet një mjet i blinduar i cili shkelë disa nga protestuesit.
Lideri opozitar Juan Guaido iu bëri thirrje mbështetësve të tij që sërish të tubohen në rrugë.
Të martën ai tha se ka nisur “fazën finale” të planit të tij për ta larguar nga zyra presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro duke pretenduar se ka mbështetje nga “ushtarë trima”.
“Momenti është tani”, ka thënë ai, përderisa në video paraqitet me disa ushtarë të armatosur në prapavijë.
Por, në një adresim televiziv, Maduro i përshkroi mbështetësit e Guaidos si një “grup i vogël”, plani i të cilëve ka dështuar.
Duke u ulur pranë komandantëve ushtarak, Maduro u zotua se do të ishte fitimtar përballë asaj që ai e quajti një përpjekje grusht shteti të mbështetur nga imperializmi amerikan.
Ai tha gjithashtu se ngjarjet e së martës “nuk do të mbeten të pandëshkuara”.
“Prokurorët do të nisin ndjekje penale për krimet e rënda që janë kryer kundër Kushtetutës, sundimit të ligjit dhe të drejtës për paqe”, tha ai në fjalimin e tij.
Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara thanë se presidenti Maduro ishte gati të largohej nga vendi dhe të shkonte në Kubë, mirëpo u bind nga Rusia që të qëndrojë edhe më tutje në Venezuelë.
“Ai kishte një aeroplan të gatshëm në pistë …Ai ishte i gatshëm të largohet këtë mëngjes, mirëpo siç e kemi kuptuar rusët kanë ndikuar që ai të qëndrojë”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump shkroi në “Twitter” se Uashingtoni qëndron me “njerëzit e Venezuelës dhe lirinë e tyre”.
Trump gjithashtu kërcënoi një “embargo të plotë” dhe sanksione mbi Kubën nëse trupat e saj nuk ndalojnë operacionet në Venezuelë pasi këshilltari kombëtar për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton pretendoi se trupat kubane po e mbajnë në pushtet Maduron./rel/