Persiatje për jetën dhe vdekjen nga Prishtina nën karantinë

21 prill 2020 | 17:15

Shkruan: Prof. Ass. Dr. Sabri Kiçmari         

Askush nuk do të mund ta merrte me mend para gjashtë muajsh se i gjithë globi do të vendoset në një lloj karantine të tillë të paparë, ku do të mbylleshin shkollat dhe universitetet, do të mbyllen restorantet dhe kafenetë, do të anuloheshin të gjitha konferencat në nivel shteti, rajoni, kontinenti e globi, se do të mbylleshin pothuajse të gjitha fluturimet, se do të anuloheshin prenotimet për turistë gjithandej globit dhe se njerëzit do të detyroheshin të ruajnë distancën nga njëri-tjetri, do të vendosnin maska dhe dorëza, nuk do të vizitonin as të afërmit e tyre. Sistemet sociale gjithandej botës u sollën në një gjendje dezorientimi të plotë.

E gjithë kjo po ndodh për shkak të një virusi. Ai është gjithkund dhe askund. U tha se ai nuk ka këmbë, por ne i japim këmbë, përmes bartjes së tij.Njeriu është një qenie e dobët nga natyra. Ai është një krijesë e brishtë, e prekshme, e lëndueshme, e vritshme, e varur. Një virus i vogël dhe i padukshëm mund të frikësojë dhe vrasë. Filozofi dhe sociologu i njohur gjerman Jürgen Habermas situatën e përshkoi me një fjali të huazuar nga Sokrati: “Kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë.” Në fakt paditurisë i shtohet pasiguria, një lloj frike nga vdekja.

Shumë njerëz janë të frikësuar. Frika e njeriut është legjitime. Është ndjenjë njerëzore. Frika nga një vdekje për shkak të mungesës së aparatit të oksigjenit është e tmerrshme. “Kjo nuk duhet t’më ndodh mua” – mendon secili.  Shumë njerëz nuk mund të punojnë dhe të koncentrohen. Dita i ngjan ditës dhe zhvillohet brenda katër mureve. Është një lloj vetburgosjeje. Ky akt ka të bëjë me ndjenjën e fajësisë eventuale përballë tjetrit, sidomos përballë të moshuarve dhe të sëmurëve kronikë. Dhe, shihen lajmet në televizion: CNN, BBC, ARD. Të gjitha lajmërojnë për shkallën e përhapjes së virusit, numrin e të shtrirëve në spital, numrin e të vdekurve. Ndjenja e pafuqisë së njeriut është prezentë gjithandej. Njeriu shfaqet i pazoti para një gjallese të padukshme, që ka emrin e pakuptim Covid – 19.

Njerëzit karakterizohen me tri forma themelore të qenies: fizike, sociale dhe mendore. Së pari, Covid-19 e ka vënë në rrezik formën e parë të qenies njerëzore, qenien e tyre fizike: Deri tani kanë vdekur 171 249 persona nga pandemia. Të goditur janë njerëzit e moshuar dhe ata me imunitet të dobët. Së dyti, Covid 19 e ka goditur edhe qenien tonë sociale: është ndryshuar rrënjësisht sjellja jonë sociale me tjetrin, janë anuluar në masë të madhe takimet me tjetrin, janë anuluar krejtësisht takimet në grupe të mëdha, manifestimet politike, kulturore dhe sportive. Së treti, është goditur edhe sistemi i të menduarit. Njeriu, që mendonte se dinte shumë për veten, tjetrin dhe botën, për një moment ka ardhur para një fakti të thjeshtë: përballjen me paaftësinë e tij, për t’u ndeshur me virusin.

A mund të ndihmojë filozofia në këtë gjendje pandemie?

Të filozofosh do të thotë të mësosh të jetosh, por edhe të vdesësh. Duhet jetuar sikur nuk do të vdesësh kurr. Në të njëjtën kohë duhet të jesh në gjendje të vdesësh, pa frikën e asaj që ndodh pas vdekjes. Besimtarët kanë frikë nga vdekja për shkak të mëkateve dhe ferrit. Ata shpresojnë në parajsën, botën e përtejme. Ateistët duan të jetojnë, sepse vdekjen e shohin si fundin e të tri formave të ekzistencës. Montaigne ka dhënë një përgjigje interesante në lidhje me këtë: “Ai që mëson si të vdiset, nuk pranon dot te jetë skllav.” Skllavëria në fakt ka një lloj ndërlidhjeje psikologjike me frikën nga vdekja.

Liria është e kundërta e skllavërisë. Të jesh i lirë, do të thotë të akceptosh gatishmërinë për sakrificë deri në vdekje. Janë dy kategori që më së paku kanë frikë nga vdekja: luftëtarët e lirisë dhe filozofët. Por vdekja mund të humbë kuptimin e saj. Ajo mund të shndërrohet, siç shkruante Heidegeri, në një bezdi sociale. Vdekja nuk mund dhe nuk ka nevojë të mohohet. Por, frikën nga vdekja duhet kthyer në shpresë, në një lloj çlirimi.

Kufizimi i parë që pësoi qenia njerëzore ishte liria e lëvizjes. Gjithandej nëpër botë u shpall  kufizimi i lirisë së lëvizjes. Liria e lëvizjes është një vlerë absolute e padiskutueshme në rrafshin filozofik dhe politik. Por, ka një moment, kur ajo, edhe në rrafshin filozofik, pushon të qeni e tillë: në rast rrezikimi të tjetrit. Në rast se përmes lirisë tuaj, ju rrezikoni tjetrin, atëherë kufizimi i lirisë suaj është racionale.

Mendja më shkon këto ditë te Sokrati, në qelinë e tij, para se të pinte kupën me helm. Ai nuk kishte frikë nga vdekja për të vërtetën. Rene Descartes u tërhoq nga lufta 30-vjeçare për të medituar natyrën e sigurisë.  Blaise Pascali e ka quajtur fatkeqësi faktin se njerëzit nuk mund të qëndrojnë të qetë në një dhomë. Martin Heidegeri ka shkuar edhe një hap më tutje, duke e parë vetveten në këndvështrim ekzistencial: në momentet e qeta, kur jemi të vetmuar në dhomë, bëhemi të vetëdijshëm për ekzistencën tonë kalimtare.

Pasi të kalojë pandemia, njerëzimi do të ndeshet me pyetje jo vetëm medicinale, epidemiologjike, sociologjike, politike dhe ekonomike, por edhe të natyrës filozofike. Pikërisht krizat e tilla nxisin reflektimet etike dhe filozofike për format e qenies së njeriut dhe sfidat e tij me veten. Në rrafshin filozofik dilema kryesore në reflektimet postpandemike shtrohet, nëse veprimet e njeriut ishin në akord me arsyen e kulluar, imperativin kategorik dhe sigurinë e qenies së tij historike. Liria e individit, shëndeti i tjetrit pranë meje, ligji dhe kushtetutshmëria, prosperiteti ekonomik dhe social, janë tema që do të pushtojnë mendjet filozofike në muajt dhe vitet e ardhshme.

Hegeli e ndërlidh moralin njerëzor me respektimin e ligjit. Premisa e kësaj ndërlidhjeje është ligji i drejtë, natyrisht. Por, çfarë duhet bërë nëse ligji nuk ekziston, kurse veprimi është i domodoshëm? Sfida etike, me të cilën do të përballen filozofët është, shpjegimi i gjendjes etike të mjekëve në rast pandemie, kur duhet të vendosin se cilit pacient duhet vendosur maskën me oksigjen dhe cilin duhet lënë të vdesë. Nëse kategori përcaktuese është mosha, atëherë vendimi ka natyrë të qartë të diskriminimit moshor. Veprimi edhe në këtë rast duhet të ketë një bazë të qartë etike. Morali duhet të jetë shtysa themelore e orientimit në veprim. Edhe në këtë rast mendja e kulluar sfidohet shumëfish.

Pandemia na ka bërë të ditur për paaftësinë tonë për t’u mbrojtur. Njeriu është i lëndueshëm. Prandaj, parimi bazë i një veprimi etik është mbrojtja e tjetrit në nevojë. Duke mbrojtur tjetrin ne synojmë të krijojmë një shoqëri të mirë, të drejtë dhe të përgjegjshme. Pastaj, vjen metafora e luftës. Shumë politikanë operojnë me këtë nocion në përballjen me virusin. Disa madje synojnë të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme. Por, virusi i padukshëm nuk luftohet dot me polici dhe ushtri. As me Komandant të Përgjithshëm dhe as me armë. Plumbi nuk e vret dot virusin. Ai luftohet vetëm me përkujdesje mjekësore dhe masa parandaluese të mospërhapjes.

Në një atmosferë të tillë të rrezikut nga vdekja, reduktimit të kontaktit social ose reflektimit për padijen njerëzore, në ambientin tonë politik dhe shoqëror, në vend të sensit reaktiv kundër virusit, u aktivizua marramendshëm forma vrazhdët e zoon politikonit shqiptar. Qenia politike u shpërfaq në një formë absurde në rrafshin njerëzor dhe psikologjik: realizimin e qëllimit, duke mos kursyer mjetet. Pra, ishte një lloj veprimi i kundërt i imperativit kategorik të Kantit. Nuk ishte ky një reagim për të ndihmuar qytetarët, as masa për shpëtimin e jetës së të sëmurëve, as për të shpëtuar vendin nga kriza, ose me qëllimin që gjendja të tejkalohej sa më parë, por për të vështirësuar punën e Qeverisë sa të jetë e mundur.

Pasojat do të jenë të mëdha jo vetëm për vendin tonë, por për gjithë ekonominë botërore. BPV për kokë banori do të bie gjithandej, shumë vetë do të humbasin vendin e punës dhe një krizë financiare pritet të mbështjellë sistemit financiar botëror. Akuzat e para të SHBA, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë kundër Republikës Popullore të Kinës, duke  e fajësuar për mosinformim me kohë dhe duke kërkuar dëmshpërblim në miliarda dollarë, flet se reflektimet e krizës edhe në rrafshin politikës ndërkombëtare nuk do të kalojnë pa pasoja.

Kriza që shkaktoi pandemia gjithandej njerëzimit është krizë e shumanshme: shëndetësore, sociale, politike, ekonomike etj. Pandemia shprehu qartë fragjilitetin dhe pasigurinë e botës sonë jetësore. Politika duhet të ndikojë në riorganizimin e jetës pas pandemisë. Sërish pa panik, por me mendje të kulluar. Ajo që mbetet është reflektimi  për moralin njerëzor, reflektimi për qenien e njeriut dhe jetën e tij, për kuptimin e jetës.

Por, njeriu ka përjetuar edhe momente të larta të humanizmit këto javë. Janë zbuluar heronjtë e vërtetë të njerëzimit: mjekët dhe motrat medicinale. Në kushte të rrezikimit të jetës së tyre, punëtorët shëndetësor kanë kryer gjithandej botës obligimin e tyre në shërbim të të sëmurëve, duke ju përmbajtur me ndjenjë ta lartë përgjegjësie betimit të Hipokratit. I gjithë sistemi politik, shoqëror dhe ekonomik është bllokuar së funksionuari në shenjë mbrojtjeje dhe solidariteti me të moshuarit. Solidaritet me moshën e shtyrë është një vlerë e lartë njerëzie, e cila nuk është shfaqur asnjë herë në këto përmasa.

Prishtinë, 21. 04.2020

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kriza ekonomike e shkaktuar si pasojë e pandemisë jo vetëm…