Përskaj varrit më të thellë në botë, shpellës së Azem Galicës

09 nëntor 2020 | 14:58

Reportazh

Përskaj varrit më të thellë në botë, shpellës së Azem Galicës

Në magjistralen Prishtinë – Pejë, po qe se nisesh nga Prishtina, në kilometrin e 50 në drejtim të Pejës, në anën e majtë të rrugës para syve të shfaqen pllakate të mëdha të metalit, të veshura me mbishkrime të dëmtuara nga rrezet e diellit, nga shiu dhe nga bora. Zënë vend në secilën prej tyre ngjyra e kuqe me të zezën. Njëra pllakate ka të shkruar “Olympi i Kosovës”, një tjetër “Azem Galica (Shpella)”, kurse një tjetër përskaj saj “Azem Galica Shpella Granit i shekujve”. Asnjë tabelë për orientim për te “varri” më i thellë në botë nuk gjen aty. Prandaj, po nuk qëlloi atypari ndonjë banor i Gllarevës ose i Përçevës duke nxjerrë gurë, nuk di kah të shkojë njeriu për te shpellëvarri i Azem Galicës. Kështu që, po nuk qe askush aty, duhet të presësh aty derisa të vijë ndonjë banor që di për vendndodhjen e shpellës në të cilin më 1924 qe hedhur trupi i veprimtarit Azem Galica. Për ta vizituar këtë shpellë ne pritëm aty rreth njëzet minuta derisa erdhi një gurnxjerrës dhe gurgdhendës, i cili e kishte mbushur rimorkion e traktorit përplot gurë dhe na tha: “Shkoni drejt, kah kjo rrugë e pashtruar, rreth dy kilometra. Sapo ta shihni një lis të madh, ndaluni aty, se aty është shpella e Azemit”. U nisëm, si e quajti ai, drejt “shpellës së Azemit”, me shpresë se do ta gjejmë lisin, pastaj shpellën. Bëmë rreth dy kilometra rrugë pa parë askund shenjë orientuese për te shpella e tij. Ec e ec, më në fund na shohin sytë një lis jo aq të madh dhe jo aq shumë të dallueshëm nga të tjerët. Megjithatë, dallon pak prej atyre që ka përreth. Rruga për te lisi, nën rrënjët e të cilit është shpella, s’është e shënjuar me asnjë gjë. Duhet të shkelësh drunj me këmbë e të shtysh rrema me duar për të shkuar deri te shpella e tij, e cila, kur të shfaqet, të shfaqet e befasishme, si kur të takohesh me ndonjë ari ose ujk në pyll. Pra, është shpellë e rrezikshme sepse është e pavërejtur, e parrethuar me asgjë, përpos me rrënjë dhe dushk. Po bëtë me të voglin gabim, mund të rrëshqisni dhe të fundoseni në brendinë e saj të thellë 73 metra. Prandaj, kini kujdes ku shkelni dhe nga ç’rrem dhe ç’rrënjë kapeni aty.

Sa je pranë saj të shtohet interesimi për historinë e saj, për ndodhinë e hedhjes së trupit të Azem Bejtës në të. Por, për historinë e kësaj shpelle dinë pak banorët e fshatit. Dinë, po kaq pak, se kush i ka hedhur eshtrat e Azem Galicës në të dhe kush i ka nxjerrë. Secili prej tyre flet me “më duket se…” Prandaj, ngjarjet rreth saj dhe për të duhet t’i kërkosh në libra historikë dhe në gazeta, të cilët dhe të cilat, po ashtu, kanë shumë pak të dhëna për shpellën e Azemit. Megjithatë, duke shfletuar libra dhe gazeta, duke lexuar studime dhe intervista të dëshmitarëve, gjen të dhënën se ky vend i shpellës quhet “Çuku që kërcet”, se gjendet në malet e fshatit Përçevë të Klinës. Sipas hulumtimeve vendore dhe botërore, për shkak se në të ishte hedhur një kufomë, ai u bë varri më i thellë në botë, i cili për 47 vjet mbajti brenda vetes, nën betimin e bashkëluftëtarëve të Azem Bejtës dhe të banorëve të Përçevës, eshtrat e tij.

Një ish-kryetar i Komunës së Klinës, Osman Krasniqi, kishte dijeni për ruajtjen e fshehtësisë së varrimit të trupit të Azemit dhe kishte qëllim të rivarrimit të eshtrave të tij në Galicë. Për këtë arsye, pra për nxjerrjen dhe varrimin e eshtrave të Azemit nga shpella, Osman Krasniqi kishte biseduar disa herë edhe me dajë Kadri Imerin, bashkëluftëtar i Azem Bejtës. Dhe, sa Osman Krasniqi ishte kryetar i Komunës së Klinës, njerëzit e aksionit për nxjerrjen e eshtrave të Azemit kishin besim tek Osmani për shkak të rrethanave të krijuara nga puna e mirë e tij në Klinë dhe rrethinë. Prandaj, me insistimin e tij, nga Drejtoria e Mbrojtjes Popullore dhe kryeshefi Hysen Krasniqi u morën masat për hyrje në shpellë.

Më 22 deri më 28 maj 1971 ishte ngritur kampi për t’u lëshuar me konop me çikrik në këtë shpellë. Cenë Gashi nga fshati Përçevë, tash i ndjerë, në fejtonin e publikuar në vitin 2003 kujton: “Aty më kanë ardhur në ndihmë disa të rinj, bashkëfshatarë të mi. Filluan të më lëshojnë në shpellë. Me ndihmën e tyre mbërrita te vendi i eshtrave të Azemit. Aty pashë mbeturina dhe zall të imët. U kërkova të më tërhiqnin me litar. Kur dola u thashë burrave se në shpellë duhet të hyjnë dy veta. Po ashtu, u tregova se kam arritur te vendi ku janë eshtrat e Azemit, por duhet të hiqet një pjesë e mbeturinave që të nxirren eshtrat e tij. U thashë se nëse nuk do të më ndihmonte askush prej tyre, do ta merrja vajzën time që sapo i kishte mbushur katër vjet, e cila do të ma mbante llambën e karbitit, kurse gropimin deri te eshtrat e Azemit do ta bëja vetë. Por, vendosëm që unë dhe Avdyl Krasniqi të lëshoheshim në shpellë. Avdyli ma mbante llambën e karbitit. Pasi i hoqa zallin dhe mbeturinat, i gjeta eshtrat e Azem Galicës dhe i mbështolla në çarçaf të bardhë. Kur e gjeta kafkën e Azemit e mbështolla me plisin tim të bardhë me qëllim që të mos shkapërderdhej dhe, bashkë me Avdyl Krasniqin, i nxorëm mbi sipërfaqe të shpellës, me ndihmën e djemve jashtë, të cilët me çikrik e ngrehnin litarin me të cilin ishim lidhur unë dhe Avdyli. Në sipërfaqe të shpellës ishin tubuar rreth 30 bashkëfshatarë edhe të fshatrave përreth. Me çikrik na kanë nxjerrë nga shpella Zymer Hyseni, Islam Shabani, Sefer Zeqiri etj. Pasi dolëm prej saj eshtrat e Azemit i vendosëm në një sënduk të ushtrisë, pastaj në një dollap të odës sime i kam ruajtur edhe me pushkë në dorë, sepse kështu e kishte lënë amanet Azemi”.

Këta eshtra Cenë Gashi i ka ruajtur në kullën e vet çdo ditë dhe natë. Për këtë akt ishte informuar edhe kryetari i atëhershëm i Komunës së Klinës, Osman Krasniqi, i cili qe angazhuar të kontaktonte me drejtuesit e atëhershëm politikë të Kosovës dhe me insistimin e tij, duke marrë përgjegjësinë për rivarrimin e eshtrave, ishte arritur pëlqimi që eshtrat e Azemit të varroseshin pa u bërë zhurmë politike.

Osman Krasniqi dha kontribut të madh për rivarrimin e eshtrave të Azem Bejtës në maj të vitit 1971. Ai e dinte mirë kush ishte heroi ynë kombëtar, andaj tri ditë dhe net nuk pushoi së punuari që eshtrat e Azem Galicës të mos hidheshin përsëri në shpellë, siç kishte urdhëruar Veli Deva. Osmani mori tërë përgjegjësinë dhe ia doli që rivarrimi i eshtrave të heroit kombëtar të bëhej në fshatin e tij të lindjes, në Galicë. Pas tri ditësh e netësh punë me drejtuesit e komunave Skenderaj, Vushtrri dhe me vajzën e Azemit, Azeminën, u pajtuan për rivarrimin e eshtrave të Azemit më 28 maj të vitit 1971, me nderime, siç e meritonte. Edhe pse ky veprim ishte në kundërshtim me politikën e atëhershme, Osmani ishte i vendosur të organizohej një rivarrim solemn i eshtrave të Azem Galicës. Me mençurinë dhe largpamësinë e tij e me qëllim që të ngadhënjente mbi kundërshtarët politikë dhe mbi nacionalët serbë, ai propozoi që rivarrimi i tij të bëhej nën përkujdesjen e Lidhjes Socialiste të Komunës së Klinës, kryetar i së cilës ishte shovinisti serb Bozho Gariqi. Në krye të këshillit për rivarrim, pavarësisht prej dëshirës së tij, u zgjodh Bozho Gariqi ngaqë, sipas pozitës që kishte, duhej të zgjidhej ai. Madje ai u angazhua të fliste në fshatin Galicë për historinë e heroit Azem Galica. Ky organizim i rivarrimit i befasoi shumë edhe pjesëmarrësit e rivarrimit në fshatin Galicë, që ishin të shumtë nga Komuna e Klinës, e Skenderajt, e Vushtrrisë e më gjerë.

Pasi u nxorën eshtrat dhe u vendosën në vend të sigurt, në arkën e odës së Cenë Gashit, u nisën lajmëtarët për në Galicë. Vendlindja e këtij trimi këtë sihariq e priti me gëzim. I madh dhe i vogël u çuan në këmbë për ta pritur të birin e tyre, i cili, pas 47-vjetësh po kthehej në vendlindje për t’u prehur, aty ku kishte lindur. Galicasit e thërrasin kuvendin dhe vendosin që rivarrimi i eshtrave të bëhet në vendin ku ishte zhvilluar beteja e fundit, aty ku trimi e kishte kullën. Po atë natë në Komunën e Vushtrrisë, Klinës dhe Skenderajt ishte formuar komisioni për bartjen e eshtrave. Në Prishtinë ishte dhënë paralajmërimi se sa më shpejt duhet bërë rivarrimi sepse ka lajme që eshtrat e tij të dërgohen në Beograd për ekspertizë mjekësore. Të nesërmen, në orën 7.00, me automobilin e Komunës së Vushtrrisë janë nisur për në Përçevë, pos kryetar Osman Krasniqit, aktorëve të nxjerrjes së eshtrave, komisionit komunal për rivarrim dhe shumë qytetarëve nga Klina. Këta qytetarë i ka shoqëruar edhe makina e policisë (vetë komandanti me dy policë) nga Klina, për në Përçevë dhe në kortezhin e rivarrimit në Galicë. Në malin e Përçevës, te shpella “Çuku që kërcet”, ishte rregulluar vendi si për dasmë. Ishte pastruar terreni përreth shpellës, ishin prerë shkurret dhe ishin shtruar qilima dhe sixhade. Rreth 50 burra kishin dalë në pritje. Pas një ceremonie të shkurtër të gjithë janë nisur për në shtëpinë e Cenë Gashit në Përçevë. Këtë borxh kishin klinasit sepse këndej pari luftoi Azemi, vdiq dhe u varros. Kjo anë e ruajti me fshehtësi të madhe varrin shpellë të tij.

Te dera e kullës, ku ruheshin eshtrat, bënin rojë dy burra të armatosur. Eshtrat i kishin futur në një arkë prej druri, kurse arkën e kishin futur në dollap, mbyllur me dyer. Edhe në shtëpinë e Cenës është bërë një ceremoni e shkurtër pastaj, pasi janë marrë prej aty, i kanë nisur për Galicë. Rrugës për në Galicë kalvarit vazhdimisht i bashkëngjiteshin njerëz. Erdhën njerëz nga Klina, Prishtina, Gllogoci, Vushtrria, Mitrovica e nga Skenderaj. Në Galicë, edhe pse nuk ishte lajmëruar si duhet, po grumbulloheshin njerëz. Varri ishte hapur. Njerëzit po prisnin në heshtje. Ishte një varrim i pazakonshëm. Po rivarrosej biri më i madh i tyre, heroi i Drenicës, i Kosovës dhe i mbarë Shqiptarisë, kryekomandanti i çetave kryengritëse të viteve 1915-1924. Po rivarrosej Azem Bejtë Galica. Herën e parë ishte varrosur nga 4-5 veta në varrin shpellë të thellë 73 metra. Për gjetjen e shpellës e për varrimin e Azemit ndihmuan Halim e Hamit Ngucati nga Përçeva të cilët siguruan edhe jorganë për mbështjelljen e kufomës. Halimi ishte në mesin e katër shokëve që, bashkë me Shotën, kishin lëshuar kufomën e Azemit në shpellë. Pas hedhjes së kufomës, në shpellë qe hedhur një dru për çështje sigurie. Pas vdekjes së Azemit, me Shotën në Shqipëri shkoi edhe Halim Ngucati, të cilin e vranë partizanët në fund të vitit 1944. Ky kishte ikur 20 vjet nga Jugosllavia e vjetër, por e vrau Jugosllavia “e re”! Hamiti, edhe pse mori rafalë plumbash, po vdiste duke qeshur. Por, për t’ia ndalë buzëqeshjen, shtënë për së dyti dhe për së afërmi në të, thonë dëshmitarët që panë këtë krim.

Shumica e njerëzve, qindra mijëra veta, kishin dalë te xeherorja e magnezitit, pranë zyrës së vendit dhe po e prisnin delegacionin me eshtrat e Azemit. Dikur pasdite delegacioni arriti. Brenda në zyrë u bënë përgatitjet e nevojshme. Aty ishin edhe mjekët Fevzi Dërvari dhe mjeku nga Prespa, Sako Sakoja, drejtor i atëhershëm i Shtëpisë së Shëndetit në Vushtrri. Pasi u nxorën eshtrat nga arka, u radhitën nga mjekët e lartpërmendur në arkivolin e ndërtuar nga punëtorët e NP “Kosova” dhe i njëjti u mbulua me flamurin kombëtar. Prej aty arkivoli u bart në duar të njerëzve, sipas zakonit, deri në Galicë. Pas tij shkonte kortezhi i gjatë i njerëzve, i mësuesve dhe i nxënësve. Te varri prisnin të tjerët. Aty kishin ardhur edhe bashkëluftëtarë të Azem Galicës. Ata derdhën edhe disa pika loti. Pasi u kryen ceremonitë dhe ritet e zakonshme, u bë rivarrimi i eshtrave. Pra, më 28 maj 1971, në orën 18.30, u rivarrosën eshtrat e Azem Bejtë Galicës, aty ku e kishte zhvilluar betejën e fundit, epopenë e lavdishme, më 15 korrik 1924.

Propozim për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtorinë e Kulturës të Komunës së Klinës:

 Shpella, e quajtur “Azem Galica”, duhet të shndërrohet në atraksion turistik për vizitorë vendorë dhe të huaj e të mos mbetet vetëm objekt për hulumtim nga historianë, antropologë, etnologë, filologë etj. Prandaj, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, duhet të bëjë investime atje, duke bërë shtrimin e rrugës me zhavorr dhe me rërë deri te shpella, e gjatë rreth dy kilometra, ta shënjojë rrugën deri te shpella, ta rrethojë shpellën me gardh metalik dhe të vendosë përskaj saj shenja të kujdesit për qytetarë pasi që, meqë është e fshehtë, përbën rrezik për vizitorët.

 

Për të dhëna të tjera:

Asllan Krasniqi, Klina me rrethinë në valët e historisë, http://www.zemrashqiptare.net/news/5129/adem-berisha-klina-me-rrethine-ne-valet-e-historise-i.html?skeyword=a (shikuar më datë 09.10.2020)

Asllan Krasniqi, Qëndresa shqiptare dhe terrori serb, Azem Bejta në Përçevë, “Bashkimi”, Prishtinë, 1991

Asllan Krasniqi, Kujtime, dorëshkrim

Asllan Krasniqi, Reshit Gashi, Met H. Durmishi: (monografi në 79-vjetorin e lindjes), “Koliqi”, Prishtinë, 2019

Bedri Tahiri, Azem Bejtë Galica, pjesa e tretë, në 85-vjetorin e betejës së fundit të Azem Bejtë Galicës, publikuar më 6 korrik 2009; http://www.albaniapress.com/lajme/9345/AZEM-BEJTE-GALICA-PJESA-III-.html (shikuar më datë 09.10.2020)

Cen Gashi, pas 32 vjetëve, rrëfen se si i ka zbuluar eshtrat e trimit legjendar Azem Bejtë Galicës: Që në moshën 11-vjeçare më ishte ngulitur në kokë se unë do t’i nxjerrja nga shpella eshtrat e Azemit, “Bota sot”, 2 mars 2003, fejtoni 3

Deklaratë e Osman Krasniqit, Klinë, dhjetor 2000

Gani Morina, Kur dhe si e kam njohur Osman Krasniqin, dorëshkrim, Klinë, 2012

Kujtime nga Islam dhe Osman Krasniqi dhënë Asllan Krasniqit dhe Reshit Gashit, dhjetor 2000

Kujtime të Beqir Qupevës dhënë Asllan Krasniqit dhe Reshit Gashit më 05. 07. 2017

Cen Gashi, Vendosa që eshtrat e Azemit t’i mbroja edhe me pushkë që të mos binin në duar të shkive, “Bota sot”, 3 mars 2003, fejtoni 4

Fotografia 1: Osman Krasniqi me ekipin e vet në varrimin e eshtrave të Azem Galicës më 28 maj 1971

Foto 2: Shpella ku u hodh trupi i Azem Bejtës dhe nga e cila u nxorën eshtrat e tij pas 47-vjetësh

 

(Ky artikull është përgatitur në kuadër të projektit kulturor “Observimi i traditës”, realizuar nga Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi”, Prishtinë).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet e Bosnje dhe Hercegovinës raportuan të hënën për 73…