Përskaj varrit më të thellë në botë, të eshtrave të Azem Bejtës

03 korrik 2023 | 23:20

Histori

Këtu, në këtë shpellë të thellë që quhet “Quku që kërcet”, në malet e fshatit Përçevë të Klinës, fillimisht qe hedhur trupi i Azem Bejtës, pastaj pas shumë viteve qenë nxjerrë eshtrat e tij. Ky varr, i cili është më i thelli në botë, mbeti i fshehur 47 vjet në saje të betimit të bashkëluftëtarëve të Azemit dhe të banorëve të Përçevës.

Ish-kryetari i komunës së Klinës, Osman Krasniqi, kishte dijeni për ruajtjen e fshehtësisë së varrimit dhe kishte qëllim të rivarrimit të eshtrave të Azemit në Galicë. Për këtë arsye, pra për nxjerrjen dhe varrimin e eshtrave të Azemit, Osmani kishte biseduar disa herë edhe me dajë Kadri Imerin, bashkëluftëtar i Azem Bejtës. Dhe, sa Osman Krasniqi ishte kryetar i komunës së Klinës, njerëzit e aksionit për nxjerrjen e eshtrave të Azemit kishin besim tek Osmani për shkak të rrethanave të krijuara nga puna e tij në Klinë dhe rrethinë. Nga Drejtoria e Mbrojtjes Popullore dhe kryeshefi Hysen Krasniqi u morën edhe masat për hyrje në shpellë. Gjithçka bëhej me dijeninë e kryetar Osmanit, prandaj dhe filloi aksioni për nxjerrjen e eshtrave nga shpella “Quku që kërcet”.

Më 22 deri më 28 maj ishte ngritur kampi dhe konopi me çikrik te kjo shpellë. Cenë Gashi në fejtonin e vet të publikuar në vitin 2003 kujton: “Aty më kanë ardhur në ndihmë disa të rinj, bashkëfshatarë të mi, që filluan të më lëshojnë në shpellë. Me ndihmën e tyre mbërrita te vendi. Aty pashë mbeturina dhe zall të imët. U kërkova të më tërhiqnin me litar. Kur dola u thashë burrave se në shpellë duhet të hynin dy veta, duke i njoftuar se kam arritur te vendi ku janë eshtrat e Azemit, por duhet të hiqet një pjesë e mirë e mbeturinave që të nxirren eshtrat e tij. U thashë se nëse nuk do të më ndihmonte ndokush, do ta merrja vajzën time që porsa i kishte mbushur katër vjet, e cila do të ma mbante llambën e karbitit, kurse gropimin deri te eshtrat e Azemit do ta bëja vetë. Kështu që, vendosëm që unë dhe Avdyl Krasniqi të lëshoheshim në shpellë. Avdyli ma mbante llambën e karbitit.

Sapo i gjeta eshtrat e Azem Galicës, i mbështolla në çarçaf të bardhë. Kur e gjeta kokën e Azemit, e mora dhe e mbështolla me plisin tim të bardhë, me qëllim që të mos shkapërderdhej dhe bashkë me Avdyl Krasniqin i nxora mbi sipërfaqe të shpellës, kuptohet me ndihmën e djemve jashtë, të cilët me çikrik e ngrehnin litarin, me të cilin ishim lidhur unë dhe Avdyli. Në sipërfaqe të shpellës ishin tubuar rreth 30 bashkëfshatarë dhe të fshatrave përreth. Me çikrik na kanë nxjerrë në sipërfaqe të shpellës Zymer Hyseni, Islam Shabani, Sefer Zeqiri etj. Pasi dolëm nga sipërfaqja e shpellës, eshtrat e Azemit janë vendosur në një sënduk të ushtrisë. Pastaj në një dollap të odës së Cenë Gashit, i cili ishte i vendosur që t’i mbronte edhe me armë që të mos binin në duar të shkive, sepse kështu e kishte lënë amanet Azemi”.

Këta eshtra Cenë Gashi i ka ruajtur në kullën e vet çdo ditë dhe natë. Për këtë akt ishte informuar edhe kryetari i atëhershëm i komunës së Klinës, Osman Krasniqi, i cili qe angazhuar të kontaktonte me drejtuesit e atëhershëm politikë të Kosovës dhe me insistimin e tij, duke marrë përgjegjësinë për rivarrimin e eshtrave, ishte arritur pëlqimi që eshtrat e Azemit të varroseshin pa zhurmë politike.

Osman Krasniqi dha kontribut të madh në rivarrimin e eshtrave të Azem Bejtës në maj të vitit 1971. Ai më së miri e dinte se kush ishte heroi ynë kombëtar, andaj tri ditë dhe net nuk pushoi së punuari që eshtrat e Azem Galicës të mos hidhen përsëri në shpellë, siç urdhëroi Veli Deva. Osmani mori tërë përgjegjësinë dhe ia doli që rivarrimi i eshtrave të heroit kombëtar të bëhej në fshatin e tij të lindjes, në Galicë. Pas tri ditësh e netësh pune me drejtuesit e komunave Skenderaj, Vushtrri dhe me vajzën e Azemit, Azeminën, u pajtuan për rivarrimin e eshtrave të Azemit më 28 maj të vitit 1971, me nderime, siç e meritonte, në Galicën heroike.

Edhe pse ky veprim ishte në kundërshtim me politikën e atëhershme, Osmani si kryetar komune ishte i vendosur që të organizohej një varrim solemn me rastin e rivarrimit të eshtrave të Azem Galicës. Me mençurinë dhe largpamësinë e tij e me qëllim që të ngadhënjente mbi kundërshtarët politikë dhe mbi nacionalë shovinistët serbë, ai propozoi që rivarrimi të bëhet nën përkujdesjen e Lidhjes Socialiste të Komunës së Klinës, kryetar i së cilës ishte shovinisti serb Bozho Gariqi. Në krye të këshillit për rivarrim, sado që kundër dëshirës së tij, u zgjodh Bozho Gariqi ngaqë, sipas pozitës që kishte, duhej të zgjidhej ai. Madje dhe u angazhua që të fliste në fshatin Galicë për historinë e heroit Azem Galica që për atë kohë ishte e çuditshme të fliste ky.

Ky organizim i rivarrimit i befasoi shumë edhe pjesëmarrësit e rivarrimit në fshatin Galicë, në vendlindjen e Azem Galicës, që ishin të shumtë nga komuna e Klinës, Skenderajt, Vushtrrisë e më gjerë.
Pasi u nxorën eshtrat dhe u vendosën në vend të sigurt, në arkën e odës së Cenë Gashit, u nisën lajmëtarët për në Galicë. Vendlindja e këtij trimi këtë sihariq e priti me gëzim. I madh dhe i vogël u çuan në këmbë për ta pritur të birin e tyre, i cili, pas 47 vjetësh, po kthehej në vendlindje për t’u prehur, aty ku kishte lindur. Galicasit e thërrasin kuvendin dhe vendosin që rivarrimi i eshtrave të bëhet në vendin ku ishte zhvilluar beteja e fundit, aty ku trimi e kishte kullën. Po atë natë në komunën e Vushtrrisë, Klinës dhe Skenderajt ishte formuar komisioni për bartjen e eshtrave.

Nga Prishtina është paralajmëruar se sa më shpejt duhet bërë rivarrimi sepse ka lajme që eshtrat e tij të dërgohen në Beograd për ekspertizë mjekësore. Të nesërmen, në orën 7.00, me automobilin e komunës së Vushtrrisë janë nisur për në Përçevë. Pos kryetar Osman Krasniqit, aktorëve të nxjerrjes së eshtrave, komisionit komunal për rivarrim dhe shumë qytetarëve nga Klina, aty ishte edhe mësuesi drenicas Met Durmishi. Këta qytetarë i ka shoqëruar edhe makina e policisë (vetë komandanti me dy policë) nga Klina, për në Përçevë dhe në kortezhin e rivarrimit në Galicë. Në malin e Përçevës, te shpella “Quku që kërcet”, ishte rregulluar vendi si për dasmë. Ishte pastruar terreni përreth shpellës, ishin prerë shkurret dhe ishin shtruar qilima dhe sixhade. Rreth 50 burra kishin dalë në pritje.

Pas një ceremonie të shkurtër të gjithë janë nisur për në shtëpinë e Cenë Gashit në Përçevë. Këtë borxh kishin klinasit sepse këndej pari luftoi Azemi, vdiq dhe u varros. Kjo anë e ruajti me fshehtësinë më të madhe varrin shpellë të tij.
Te dera e kullës, ku ruheshin eshtrat, bënin rojë dy burra të armatosur. Eshtrat i kishin futur në një arkë prej druri, kurse arkën e kishin futur në dollap, mbyllur me dyer. Edhe aty është bërë një ceremoni e shkurtër, pastaj janë nisur për Galicë. Delegacioni ishte rritur shumë. Rrugës për në Galicë vazhdimisht bashkëngjiteshin njerëz. Erdhën nga Klina, Prishtina, Gllogoci, Vushtrria, Mitrovica e nga Skenderaj. Në Galicë, edhe pse nuk ishte lajmëruar si duhet, po grumbulloheshin njerëz. Varri ishte hapur. Njerëzit po prisnin në heshtje. Ishte një varrim i pazakonshëm. Po rivarrosej biri më i madh i tyre, heroi i Drenicës, i Kosovës dhe i mbarë Shqiptarisë, kryekomandanti i çetave kryengritëse të viteve 1915-1924.

Po rivarrosej Azem Bejtë Galica. Herën e parë ishte varrosur nga 4-5 veta në varrin shpellë, të thellë 73 metra. Për gjetjen e shpellës e për varrimin e Azemit ndihmuan Halim e Hamit Ngucati nga Përçeva të cilët siguruan edhe jorganë për mbështjelljen e kufomës. Halimi ishte në mesin e katër shokëve që, bashkë me Shotën, kishin lëshuar kufomën e Azemit në shpellë. Pas hedhjes së kufomës, në shpellë qe hedhur një dru për çështje sigurie. Pas vdekjes së Azemit, me Shotën në Shqipëri shkoi edhe Halim Ngucati. Ndërsa Hamit Ngucatin e vranë çetnikët partizanë në fund të vitit 1944. Ky kishte ikur 20 vjet nga Jugosllavia e vjetër dhe e vrau Jugosllavia “e re”. Hamiti, edhe pse mori rafalë plumbash, po vdiste duke qeshur. Atëherë kriminelët shtënë për së dyti dhe për së afërmi në të, thonë dëshmitarët që panë krimin. E tash Azem Bejtën po e varrosnin qindra e mijëra veta, në varr të zakonshëm.

Shumica e njerëzve kishin dalë te xeherorja e magnezitit, pranë zyrës së vendit dhe po e prisnin delegacionin me eshtrat e Azemit. Dikur pasdite delegacioni arriti. Brenda në zyrë u bënë përgatitjet e nevojshme.

Aty ishin edhe mjekët Fevzi Dërvari dhe mjeku nga Prespa, Sako Sakoja, drejtor i atëhershëm i Shtëpisë së Shëndetit në Vushtrri. Pasi u nxorën eshtrat nga arka, u radhitën nga mjekët e lartpërmendur në arkivolin e ndërtuar nga punëtorët e NP “Kosova” dhe u mbulua me flamurin kombëtar. Prej aty arkivoli bartet në duar, sipas zakonit, deri në Galicë. Pas shkonte kortezhi i gjatë i njerëzve, mësuesve dhe i nxënësve.

Te varri prisnin të tjerët. Aty kishin ardhur edhe bashkëluftëtarë të Azem Galicës. Ata derdhën edhe disa pika loti faqeve. Pasi u kryen ceremonitë dhe ritet e zakonshme, u bë rivarrimi i eshtrave. Pra, më 28 maj 1971, në orën 18.30, u rivarrosën eshtrat e Azem Bejtë Galicës, aty ku e kishte zhvilluar betejën e fundit, epopenë e lavdishme më 15 korrik 1924. (Shkroi: Reshit Gashi)

Për hollësi të tjera rreth kësaj teme, kërkojini këta libra:

Asllan Krasniqi, Klina me rrethinë në valët e historisë, f. 119; Asllan Krasniqi, Qëndresa shqiptare dhe terrori serb, Azem Bejta në Përçevë, Bashkimi, Prishtinë, 1991; Kujtime nga Islam dhe Osman Krasniqi, dhjetor 2000; Kujtime të Beqir Qupevës dhënë autorëve më 05. 07. 2017
Cen Gashi, pas 32 vjetëve, rrëfen se si i ka zbuluar eshtrat e trimit legjendar Azem Bejtë Galicës: Që në moshën 11-vjeçare më ishte ngulitur në kokë se unë do t’i nxjerrja nga shpella eshtrat e Azemit, Bota sot, 2 mars 2003, fejtoni 3
Cen Gashi, Vendosa që eshtrat e Azemit t’i mbroja edhe me pushkë që të mos binin në duar të shkieve, Bota sot, 3 mars 2003, fejtoni 4
Deklaratë e Osman Krasniqit, Klinë, dhjetor 2000
Gani Morina, Kur dhe si e kam njohur Osman Krasniqin, dorëshkrim, Klinë, 2012
Bedri Tahiri, Azem Bejtë Galica, pjesa e tretë, në 85-vjetorin e betejës së fundit të Azem Bejtë Galicës, publikuar më 6 korrik 2009; http://www.albaniapress.com/lajme/9345/AZEM-BEJTE-GALICA-PJESA-III-.html; Asllan Krasniqi, Kujtime në dorëshkrim
Bedri Tahiri, Azem Bejtë Galica, pjesa e tretë, në 85-vjetorin e betejës së fundit të Azem Bejtë Galicës, publikuar më 6 korrik 2009: ttp:/www.albaniapress.com/lajme/9345/AZEM-BEJTE-GALICA-PJESA-III-.html
Asllan Krasniqi, Klina me rrethinë në valët e historisë; Asllan Krasniqi, Qëndresa shqiptare dhe terrori serb, Azem Bejta në Perçevë, Bashkimi, Prishtinë, 1991
Asllan Krasniqi, Reshit Gashi, Met H. Durmishi: (monografi në 79-vjetorin e lindjes), “Koliqi”, Prishtinë, 2019

Foto 1: Osman Krasniqi me ekipin e vet në varrimin e eshtrave të Azem Galicës më 28 maj të vitit 1971
Foto 2: Shpella ku u hodh trupi i vrarë i Azem Bejtës dhe nga e cila u nxorën eshtrat e tij pas 47 vjetësh
/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka komentuar situatën e…