Personalitete të ndryshme ngushëllojnë familjen Haradinaj për vdekjen e Agronit
Ka ndërruar jetë Agron Haradinaj, vëllai i Nasim Haradinajt. Agroni ishte luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas vdekjes së tij ka reaguar kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se është thellësisht i pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Agronit.
“Agroni një jetë të tërë ishte në shërbim të Atdheut, para lufte, në luftë e në paqe. Bashkë më të vëllanë Nasimin, angazhimin për vendin e kishte trashëguar nga i ati Smajl Haradinaj. Ai ishte i burgosuri politik më i ri në moshë në Jugosllavinë e atëhershme ndërsa u shqua si njëri ndër luftëtarët më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare. Ai kishte kohë që vuante nga një sëmundje e rëndë e shkaktuar nga presioni i eksplodimit të një rakete të hedhur nga aeroplanët e ushtrisë serbe në bombardimet në fshatin Prilep të Deçanit”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se e ndanë dhembjen me familjen Haradinaj, bashkëluftëtarët, shokët dhe gjithë ata që e njohën Agronin. “I pikëlluar nga lajmi për vdekjen e Agron Smajl Haradinaj, njëri nga ushtarët e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Tërë jetën ia kushtoj Atdheut, në luftë e në paqe, ishte i burgosur politik në Jugosllavinë e atëhershme dhe nga ushtarët më të zotë të UÇK-së. Ndaj dhembjen me familjen Haradinaj, bashkëluftëtarët, shokët dhe gjithë ata që e njohën”, ka shkruar Ramosaj në “Facebook”.
Ngushëllime ka shprehur edhe deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti. “Më la pa fjalë lajmi për vdekjen e Agron Haradinajt. Agroni qysh si i ri e ndoqi traditën familjare në rrugën e atdhedashurisë. Ishte një nga të burgosurit politik më të ri në moshë, kurse gjatë luftës çlirimtare një nga ushtarët e parë të UÇK-së. Ngushëllime familjes Haradinaj, bashkëluftëtarëve, miqve dhe shokëve të Agronit! Agron, u prehsh në paqe!”, ka shkruar Haliti në “Facebook”.
Edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVLUÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se i ndjeri Agroni prej vitesh po vuante nga një sëmundje e rëndë. “Sapo morëm lajmin e hidhur se ndërroj jetë bashkëluftëtari ynë Agron Smajl Haradinaj. I ndjeri vuante prej shumë vitesh nga një sëmundje e rëndë dhe trajtohej jashtë shtetit. Agroni një jetë të tërë ishte në shërbim të Atdheut, para lufte, në luftë e në paqe. Bashkë me të vëllanë Nasimin, angazhimin për vendin e kishte trashëguar nga i ati Smajl Haradinaj. Ai ishte i burgosuri politik më i ri në moshë në Jugosllavinë e atëhershme ndërsa u shqua si njëri ndër luftëtarët më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për ceremoninë e varrimit do të njoftoheni. Në emër të OVLUÇK-së i shprehim ngushëllime familjarëve, bashkëluftëtarëve, shokëve e miqve! Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, ka shkruar Klinaku në “Facebook”.
Bardhyl Mahmuti, kryetar i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë Plagë e Hapur” ka thënë se me pikëllim ka marrë lajmin për vdekjen e Agron Ismajl Haradinajt.
“Sëmundja nga e cila lëngoi viteve të fundit ishte rezultat i vuajtjeve që i shkaktoi pushteti në burgjet serbe dhe jeta në kushte të okupimit. Ngushëllimet më të përzemërta Familjes së lavdishme Haradinaj, Naimit, Shqipes dhe sidomos Nasimit që padrejtësisht mbahet prapa grilave! Ngushëllime të gjithë bashkëluftëtarëve të Agronit! Lavdi luftëtarit të shquar të çështjes kombëtare, Agron Ismajl Haradinaj!”, ka shkruar Bardhyl Mahmuti në “Facebook”.