Personalitete të shquara të Rilindjes Kombëtare dhe veprimtaria e tyre në Manastir
Prof. dr. Nusret Pllana
Universiteti “Hasan Prishtina”
Fakulteti i Edukimit
“Nëse doni ta zbuloni historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe duhet ta studioni gjuhën shqipe” / (Gottfried Wilhelm Leibniz, albanolog gjerman)
Përkufizimi
Tridhjetë vjet pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Lëvizja Kombëtare Shqiptare organizon ngjarjen më të madhe, para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, organizon pra, Kongresin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe ose, siç njihet në literaturën historike, Kongresin e Manastirit.
Nismëtare e ngjarjes më të madhe të ekzistimit shpirtëror të popullit shqiptar, e organizimit të Kongresit të Manastirit, ishte Shoqëria Kulturore Kombëtare “Bashkimi”, së cilës i printe Fehim Zavalani dhe vëllezërit Qiriazi.
Kush e përgatiti këtë ngjarje të madhe të kulturës sonë, të historisë sonë kombëtare?
Themelet i kishte vënë Rilindja Kombëtare, ajo që kishte krijuar edhe përmasën e kombit shqiptar. Ata ishin mendjet e ndritura të kombit, që kishin për ideal të veprimtarisë së tyre lirinë e atdheut, tërësinë e tij dhe zhvillimin e kulturës kombëtare. Por kultura kombëtare, gjuha kombëtare, nuk mund të zhvillohej pa një alfabet të përbashkët për të gjithë shqiptarët.
Hyrje
Manastiri ishte qendër e njërit nga vilajetet shqiptare nën Perandorinë Osmane. Si i tillë, ishte edhe qendër e zhvillimeve të mëdha të lëvizjeve kombëtare. Kush nga rilindësit tanë nuk kishte vepruar, nuk kishte punuar dhe nuk kishte lënë gjurmë në historinë e zhvillimeve të veprimtarive kombëtare të cilat selinë e kishin në Manastir?
Edhe Lidhja shqiptare e Prizrenit, por edhe lëvizjet e mëvonshme, njërën nga qendrat e zhvillimit të këtyre veprimtarive e kishin Manastirin. Deri edhe gjeneratat e mëvonshme të rilindësve tanë, siç ishte Lasgushi, që kishte bërë një pjesë të shkollimit këtu, apo edhe më i riu, Migjeni që, po ashtu, ishte arsimuar në Manastir, por edhe ushtarakë të Rilindjes sonë, të cilët do të bëhen prijës dhe organizatorë të krahut ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, janë pjesë e veprimtarive atdhetare dhe kulturore që kanë zhvilluar veprimtari të Rilindjes sonë Kombëtare në Manastir.
Rilindja kombëtare dhe shkolla shqipe
Që në fillimet e saj, Rilindja Kombëtare Shqiptare një aspekt të zhvillimit të veprimtarisë së vet e kishte edhe përhapjen e arsimimit në gjuhën shqipe.
Pse mund të thuhet kështu?
Mund të thuhet për shumë arsye, por ajo që është kryesore ishte ndalimi i tërësishëm i mundësisë të shkollimit në gjuhën shqipe, pa marrë parasysh përkatësinë fetare të shqiptarëve. Do të thotë, nuk ishte pengesë përkatësia fetare, por pengesë e shkollimit në gjuhën amtare ishte përkatësia etnike e shqiptarëve.
Siç dihet tashti më, gjuha shqipe ishte e vetmja gjuhë në Evropë që ishte ndaluar me Ferman sulltanor. Do të thotë, ishte e ndaluar të mësohej në të gjitha nivelet e shkollimit, qoftë edhe ato që kishin hapur autoritetet osmane, qoftë edhe ato që kishin hapur fqinjët tanë, që kishin qëllime zhdukjen e racës shqiptare. Prandaj, nuk është aspak e rastit se në të katër vilajetet shqiptare kishte aq shumë shkolla në gjuhën e ortodoksisë greke, në gjuhët sllave, në gjuhën osmane, si dhe në gjuhë të të tjerëve, por nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe.
Prandaj, nuk është aspak e rastit se në Evropën e shekullit nëntëmbëdhjetë vriteshin, helmoheshin dhe ndiqeshin nga vendi i tyre mësuesit shqiptarë, qoftë edhe kur mbanin mësimin e gjuhës shqipe fshehurazi, qoftë edhe kur hapej ndonjë shkollë me lejen e sulltanit, por autoritet lokale osmane, të cytur edhe nga armiqtë tanë shekullorë, grekët dhe sllavët, i shkishëronin, i ndiqnin jashtë vendit, i helmonin dhe i vrisnin mësuesit e shkollës shqipe. Është e vetmja shkollë në Evropë e cila në themelet e veta e ka gjakun e mësuesve tanë, dëshmorë të kujtesës sonë historike.
Rilindja jonë kombëtare, duke njohur rëndësinë e madhe të arsimimit të popullit shqiptar, përveç përpjekjeve për liri kombëtare, një krahë të zhvillimit të veprimtarive të saj atdhetare ia kishte kushtuar edhe hapjes së shkollave në gjuhën shqipe, qoftë kur ato punonin edhe fshehurazi, apo të maskuara nëpër mejtepe e altare kishash, në të cilat punonin atdhetarë shqiptarë.
Në këtë frymë kombëtare, me idealin e arsimimit të popullit ishin brumosur edhe të gjithë intelektualët shqiptarë jo vetëm që shkruanin librat për mësonjëtoret e para shqipe, siç ishin Konstantin Kristoforidhi e Naim Frashëri, Nikoll Naço e Sami Frashëri, Shahin Kolonja e Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi, deri te Hasan Prishtina e Bajram Curri që, përveç pushkës, ia kishin kthyer pushtuesit të tokave shqiptare, edhe armën më të fuqishme të një populli, përhapjen e shkollës në gjuhën amtare.
Brezi i rilindësve shqiptarë dhe ABC-ja e Kongresit të Manastirit
Nëse shqyrtohet me vëmendje, vetëm një aspekt i veprimtarëve të Rilindjes sonë Kombëtare, ai i letërkëmbimit, kur Shoqëria Kombëtare “Bashkimi” e Manastirit u kishte bërë thirrje qyteteve, klubeve, shoqatave kulturore brenda e jashtë vilajeteve shqiptare, për mbajtjen e Kongresit të Manastirit, mund të kuptohet drejt përkushtimi i të gjithë atyre intelektualëve të kohës, pjesë e Rilindjes sonë Kombëtare, si dhe gatishmëria e tyre, që të krijohej një alfabet i përbashkët i gjuhës shqipe, të cilin gjuha jonë e ka edhe sot.
Nuk di cila është vlera më madhore e këtij projekti të madh kombëtar, që e kishte filluar Rilindja Kombëtare dhe po e përfundonin përfaqësuesit e saj më të ditur, më atdhetarë dhe më të përkushtuar, duke vënë bazat e alfabetit të një gjuhe moderne, siç është gjuha shqipe.
Këta veprimtarë të Rilindjes sonë Kombëtare ishin nga të gjitha viset shqiptare por, mbi të gjitha, kishte nga ata që ishin edhe të penës dhe të pushkës, siç ishin vëllezërit Bajo dhe Çerçiz Topulli, siç ishte Mihal Grameno, e shumë të tjerë, kishte nga ata që ishin bërë zëri i literaturës kombëtare, siç ishte Gjergj Fishta e Mit’hat Frashëri, djalë i prijësit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashërit, si dhe nip i poetit kombëtar, Naim Frashërit, e enciklopedistit Sami Frashëri. Nga këta rilindës, veprimtarë që tërë jetën ia kishin kushtuar lirisë dhe përparimit të kombit, të cilët pak vjet më vonë do të jenë hartuesit e Programit të Pavarësisë së Shqipërisë, siç ishte Luigj Gurakuqi dhe pjesëmarrës të tjerë të Kuvendit Historik të Vlorës së Ismail Qemalit.
Nëse shqyrtohen me paanësi puna dhe përpjekjet e këtyre rilindësve tanë, qoftë edhe vetëm në këmbënguljen e tyre për t’i dhënë shqipes alfabetin e saj modern, siç e kishin gjuhët e tjera të popujve modernë evropianë, atëherë mund të thuhet se angazhimi i tyre kishte vetëm një qëllim – interesin kombëtar, i cili ishte nëpërkëmbur nga të gjithë pushtuesit, andaj edhe nga Perandoria Osmane e kohës. Këta dijetarë, atdhetarë të papërkulur, kishin arritur, si rrallëherë në historinë tonë kombëtare, që t’i kapërcenin mosmarrëveshjet e tyre, të klubeve, apo shoqërive, të qyteteve apo të mërgatës shqiptare, duke dhënë shembullin më të mirë për historinë tonë, edhe të sotme, se vetëm bashkimi është në shërbim të zgjidhjes së çështjeve të mëdha kombëtare, siç ishte në vitin 1908, Kongresi i Manastirit, siç ishte vite më herët Lidhja Shqiptare e Prizrenit, siç ishte vite më vonë Kongresi i Elbasanit, e veprimtari të tjera që kanë rritur përmasën kombëtare të rilindësve tanë në shërbim të atdheut, të lirisë së tij, të tërësisë së tij dhe të arsimimit të tij.
Në letërkëmbimin që ruhet edhe sot, edhe pse i përgjysmuar dhe i shkatërruar nga pushtues të ndryshëm, shihet se rilindësit tanë, ata më të përkushtuarit, që një pjesë të veprimtarisë së tyre e kishin zhvilluar edhe në Manastir, kanë sakrifikuar aq shumë nga bindjet e tyre, nga pikëpamjet e tyre, vetëm që të krijohet një vlerë me përmasë kombëtare, siç ishte alfabeti i gjuhës shqipe, pa të cilin askush nuk mund të thotë me saktësi se çka do të kishte ndodhur me rrugën e zhvillimit të gjuhës sonë kombëtare.
Përfundim
Veprimtaria e rilindësve tanë, edhe ajo që është zhvilluar në Manastir, është bërë pjesë e kujtesës sonë historike, është bërë vlerë e trashëgimisë sonë kombëtare. Qoftë edhe vetëm për këtë fakt të madh historik, ata janë shembulli më i mirë i edukimit kombëtar për të gjithë brezat e shqiptarëve. Kush mund të ketë vetëdijen kombëtare të Gjergj Fishtës, për atë kohë, kryetar i Komisionit të Alfabetit, kur heq dorë nga varianti i alfabetit që kishte propozuar, vetëm që të arrihej suksesi i Kongresit të Manastirit. Kush mund të marrë me mend sot, qoftë edhe vetëm udhëtimin e Parashqevi Qiriazit, nga Korça në Manastir, në atë kohë, më shumë se dy ditë e dy net rrugë, duke e bërë natën edhe nëpër bujtinat anës rrugëve, pa vënë gjumë në sy, sepse keqbërësit, qofshin edhe të porositur nga pushteti okupues, ishin të pranishëm kudo, e cila kur sheh punën e madhe të rilindësve tanë në atë Kongres, shkruan poezinë, himnin e alfabetit, që edhe sot do të ishte aktual. Një popull që i harron këto ideale të veprimtarëve të Rilindjes sonë Kombëtare nuk ka kujtesë historike dhe nuk ka edukim kombëtar.
Manastir, më 27 prill 2019
Burimet:
Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, “Kongresi i Manastirit”, Tiranë, 2004
Grup autorësh, “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit”, Tiranë, 1972
Tomorr Osmani, “Udha e shkronjave shqipe: histori e alfabetit”, Tiranë, 2008