Personazhi misterioz që hodhi miliona dollarë në TikTok
Emri i koduar Bogpr. Për muaj të tërë ai u shfaq në TikTok me fytyrën e mbuluar. Por përpjekjet për të mbajtur sekret identitetin e tij u fundosën dy javë më parë, kur gazeta Gandul e identifikoi si Bogdan Peschir: ishte 25 nëntori, një ditë pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale rumune, të cilat u anuluan nga Gjykata Kushtetuese – edhe për shkak të tij: ky tridhjetë e pesë vjeçar, ish-programues në kompanitë e lidhura me kriptovalutat, është i dyshuari kryesor i financimit të paligjshëm të fushatës në rrjete sociale të sovranistit Calin Georgescu, njeriu që qëndron pas shfrytëzimit të këtij kandidati, i cili në një kohë të shkurtër nga një politikan gjysmë i panjohur u shndërrua në një fitues befasues i raundit të parë.
Sipas dokumenteve të shërbimit të fshehtë të deklasifikuara javën e kaluar, Peschir përdori llogarinë e tij për të bërë “donacione” me vlerë mbi një milion euro për influencuesit e kontaktuar nga një kompani afrikano-jugore, që merret me marketingun online. Secili prej tyre u pagua nga një mijë euro për të publikuar një video që supozohej të prekte disa tema të dashura për fushatën elektorale të Georgescut.
Rrjeti social kinez konfirmoi për inteligjencën rolin që Peschir kishte në financimin e promovimit të Georgescut: ai foli për pagesa me vlerë 381 mijë dollarë vetëm në muajin para votimit, edhe pas përfundimit të fushatës.
“Këto janë shkelje të politikave të TikTok dhe legjislacionit zgjedhor rumun,” sqaruan shërbimet. Në fund, Peschirit iu desh gjithashtu të pranonte se kishte dhënë para në llogaritë pro-Georgescu, por mohoi të kishte bërë pagesa direkte për të. “Unë nuk kam financuar një fushatë, kam dhuruar për lloje të ndryshme llogarish të TikTok pa u kërkuar atyre favore apo pa i kushtëzuar këto donacione me orientimin e tyre politik”, u mbrojt ai.
Kohët e fundit ai e krahasoi veten me Elon Musk (dhe Georgescu e përkufizoi veten si “Trumpi rumun”): “Unë jam një sipërmarrës dhe një investitor. Nuk e njoh personalisht Georgescu-n. Mbështetja ime për të është plotësisht vullnetare. Nuk mendoj se po bëj ndonjë gjë të pamoralshme për të mbështetur një fushatë në të cilën besoj. Elon Musk gjithashtu e mbështeti Trumpin në SHBA me më shumë se 100 milionë dollarë”. Mëkat që në rastin e pronarit të Teslës këto janë donacione transparente.
Mbi të gjitha, Peschir nuk është në gjendje të shpjegojë se çfarë e nxit një bujari të tillë: nga vijnë paratë, me pak fjalë.
Një dokument i inteligjencës përmend se i riu ka një standard jetese me pesë yje (ai ka një BMW dhe një Porsche Cayenne në garazhin e tij, por gjithmonë udhëton me taksi) “që nuk korrespondon me aktivitetet e kryera përmes kompanisë që zotëron”. Kjo është Digital On-Ramp Solutions Srl, e krijuar në vitin 2021. “Doja të bëja një projekt dixhitalizimi për Rumaninë, por ata nuk duan të bëjnë asgjë të dobishme këtu për shkak të sistemit të korruptuar,” thotë ai.
Tani laku rreth tij po shtrëngohet: dje agjentë specialë me kapuç dhe forca të policisë inspektuan vilën e tij në Brasov, “qytetin e vampirëve” në Transilvani, si dhe vendbanimin e tij dhe selinë e kompanisë së tij fantazmë.
Dyshimit se është ndërmjetës me Moskën, ai i përgjigjet se e vetmja lidhje e tij me Rusinë është letërsia. “Autori im i preferuar është Dostojevski dhe emri im në rusisht do të thotë dhuratë e Zotit”. Se për kë është kjo dhuratë, vetëm ai e di. / bota.al