Personeli i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së mund të udhëtojnë pa viza në Britani
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë me dije se është njoftuar nga nënkoloneli Steve Forrest, këshilltar bilateral në Ministrinë e Mbrojtjes, për vendimin e autoriteteve të Britanisë së Madhe për udhëtim pa viza për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) që zhvillojnë aktivitete ushtarake dhe zyrtare në Britani.
Sipas Maqedoncit, ky vendim vjen si rezultat i thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe angazhimit të Kosovës në aktivitetet e mbrojtjes që udhëhiqen nga Britania e Madhe.
“Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi ka luajtur rol kyç në procesin e shtetëndërtimit në përgjithësi dhe fuqizimin e kapaciteteve të mbrojtjes të vendit tonë, në veçanti. Kjo është edhe një dëshmi për kredibilitetin që Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gëzon te partnerët tanë”, ka shkruar Maqedonci në “Facebook”.