Personi që theri vetën me thikë në gjoks po trajtohet në Klinikën e Psikiatrisë
Një person dyshohet se ka therur veten me thikë, sot rreth orës 14 e 30, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Daut Hoxha.
“Më datë 11.07.2022. në ora 14:35, Policia e Kosovës ka pranuar informatën lidhur me prezencën e një personi me thikë në dorë te sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë. Menjëherë janë njoftuar dhe angazhuar njësitet relevante policore, të cilat kanë reaguar me shpejtësi në vendin e ngjarjes. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se personi i dyshuar ka lënduar vetveten me një mjet të mprehtë (thikë). Është njoftuar ndihma e shpejtë, e cila po ashtu ka arritur në vendin e ngjarjes”, ka thënë Hoxha.
Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërkaq mjekja Krenare Makolli ka treguar se pacienti pas trajtimit është dërguar në Klinikën e Psikiatrisë.
“Para nja dy ore diku kemi pranuar një pacient nga Urgjenca e qytetit, e kanë sjellë këtu. Është i vetëlënduar, e ka një plagë një gjoks, në anën e majtë të tij.
“Janë kryer të gjitha ekzaminimet. Konsultimet janë përpunuar. Për momentin e kemi udhëzuar për në Klinikën e Psikiatrisë për trajtim të mëtutjeshëm.”
“Për momentin pacienti nuk ka qenë shumë komunikativ, kuptohemi., Ishte në gjendje të shetësuar më shumë mund të them. Për problemet e tij ndoshta mendore ose të tilla besoj që psikiatri do t’ju japë një përgjigje më të qartë”, ka thënë ajo për Klan Kosova.