Personi që u vra në dasmë në Ferizaj është familjar i Prindon Sadriut, burrit të Presidentes Osmani
Personi që është vrarë nga zyrtari policor sot në Ferizaj, është axha i zotriut të parë, Prindon Sadriu.
Viktima është Sadri Sadriu, kështu kanë bërë me dije burime të Insajderit nga Lugina.
Vrasja dyshohet se është kryer nga një zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Qazim Reka, zëvendësdrejtor i Policisë në rajonin e Ferizajt, ka bërë të ditur se zyrtari policor i cili dyshohet se e kreu vrasjen në dasmën në Bibaj të Ferizajt është arrestuar.
Vrasja ka ndodhur në sallën e dasmave ‘Fron Pallac’.
“Sot me 16.08.2024 , ne ora 19/25 , në rrugën Engjell Zefi “ në fshatin Bibaj komuna Ferizaj, në parkingun e sallës së dasmave ‘Fron Pallac’ ka ndodhur një vrasje , me të marr informacionin , menjëherë ne vendin e ngjarjes kanë dalë njësi policore reaguese dhe hetuesit , sipas informacioneve fillestare i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasje është një zyrtar policor , i cili është arrestuar , ne lidhje me rastin është njoftuar Prokuroria Themelore ne Ferizaj dhe Inspektorati Policor , për informata tjera ju informojmë me raport shtese .”, ka thënë ai për Reporteri.net.
Kushtrim Hodaj, kryeshefi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK), ka konfirmuar se i dyshuari për vrasjen e ndodhur në Ferizaj është një zyrtar policor nga Stacioni Policor i Ferizajt.
Se i dyshuari është Polic e ka konfirmuar edhe kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj.
Ai ka njoftuar se ekipet e IPK-së janë mobilizuar dhe janë nisur për në vendngjarje për të hetuar rastin.
Sipas tij, dyshohet se vrasja është kryer me një armë jo zyrtare.
“Po mund të konfirmojmë se i dyshuari për vrasjen është zyrtar policor nga Stacioni Policor i Ferizajt. Ekipet e IPK-së janë njoftuar dhe janë nisur për vendngjarje për të parë rrethanat e ngjarjes”, ka deklaruar Hodaj.
Për rastin kanë folur edhe nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.
Prokuroria në Ferizaj e ka konfirmuar se i vrari në dasmën në fshatin Bibaj të Ferizajt është një 89 vjeçar.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Vjosa Baftiu ka thënë për gazetën online Reporteri.net se i vrari është i lindur në vitin 1935.
Sipas saj, i dyshuari për vrasjen, një zyrtar policor është ndaluar për 48 orë.
“Motivet ende nuk dihen”, tha Baftiu.