Përurohen dy rrugë në Malishevë
Në Komunën e Malishevës janë përuruar dy rrugë të reja të cilat në të njëjtën kohë janë dhe shumë të rëndësishme, pasi lidhin shumë rrugë dhe vendbanime me rrugët magjistrale. Rrugët e përuruara janë rruga “Avdullah Morina” që lidhë fshatin Burim me Astrazup dhe rruga “Drita” që lidhë fshatin Gurbardh me Dragobil (lagja “Pallanka”).
Në përurimin e këtyre dy rrugëve ka marrë pjesë kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, nënkryetari Hajdin Berisha, drejtorët e drejtorive komunale, Bashkim Krasniqi dhe Valon Mazreku, anëtarët e Kuvendit të Komunës së Malishevës, Ali Morina, i cili është edhe djali i dëshmorit, Avdullah Morina, emrin e të cilit e mbanë njëra rrugë dhe Avdi Morina, si dhe qytetarë të tjerë të fshatrave, Burim, Astrazup, Dragobil edhe Gurbardh. “Është ndjenjë e mirë kur e përfundon një projekt infrastrukturor, por është kënaqësi kur këto rrugë përurohen në data të caktuara, siç është dita e çlirimit dhe e dëshmorëve, por edhe më mirë ndihemi kur rrugët, parqet dhe objektet me rëndësi, mbajnë emra të dëshmorëve, që falë sakrificës së dëshmorëve të kombit dhe luftës së lavdishme të UÇK-së, ne sot po arrijmë ti kemi këto të mira”, ka thënë Begaj me rastin e përurimit të këtyre rrugëve.
Rruga Avdullah Morina është e gjatë rreth 1 800 metra dhe lidhë fshatrat Burim dhe Astrazup, ndërsa rruga “Drita” është e gjatë mbi 800 metra dhe lidhë lagjen Pallanka me fshatin Gurbardh. Të dy këto rrugë, janë realizuar nga buxheti i Komunës së Malishevës.