Përurohen dy shkolla të reja në Polac dhe në Qubrel të Skenderajt
Në ditën e parë të shkollës për vitin e ri shkollor, 2021-2022, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Arsim, Bekim Latifi , mësimdhënës dhe nxënës, ka bërë përurimin e dy objekteve të reja, të shkollës fillore “Drenica”, në Polac dhe shkollës fillore “Vëllezërit Frashëri”, në Qubrel.
Me këtë rast, kryetari Jashari, ka uruar nxënësit, për objektin e ri shkollor si dhe për fillimin e vitit mësimor, duke shpresuar që kushtet e krijuara të ndikojnë pozitivisht në ngritjen e nivelit të arsimit në vend.
Jashari ka falënderuar Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, për financimin e këtyre projekteve. Më tutje, ai u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të vazhdojnë punën e tyre më angazhim të madh, në mënyrë që përmes edukimit të gjeneratave të reja të arrihet përmbushja e amanetit të të parëve.
“Bëjë thirrje për mësimdhënësit që të vazhdojnë angazhimin e tyre maksimal në edukimin e brezave të rijnë sepse ky është sot ideali ynë, misioni dhe vizioni unë, amaneti i dëshmorëve e heronjve të vendit tonë, që të ndërtojmë një shtet të fortë ekonomikisht, baza e së cilit sigurisht që është arsimi”, ka thënë Jashari.
Edhe drejtorët e këtyre dy institucioneve, Gëzim Gashi dhe Florim Rrustemi janë shprehur jashtëzakonisht falënderues ndaj ministrisë, komunës dhe kryetarit Jashari, për realizimin e këtyre projekteve të rëndësie të veçantë.