Përurohen gjashtë rrugë në Tërpezë të Malishevës
Në vigjilje të shënimit të 16 Qershorit – Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës, në fshatin Tërpezë të kësaj komune, janë përuruar gjashtë rrugë të reja të ndërtuara në këtë fshat.
Në ceremoninë e përurimit të këtyre rrugëve, ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili i ka uruar banorët e Tërpezës për rrugët.
“Pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat e ndërtimit të rrugëve dhe pranimit teknik të punimeve, ne sot, në prag të shënimit të ditës më të rëndësishme të komunës, po i përurojmë këto rrugë, të cilat janë ndërtuar nga buxheti komunal, për banorët e fshatit tuaj. Urime rrugët e reja dhe urime Dita e Çlirimit të Malishevës”, ka thënë i Begaj.
Rrugët të cilat janë përuruar të martën janë rruga “Xhavit Kelmendi”, “Selim Elshani”, “Alush Rama”, “Vezir Kolshi” dhe dy rrugë të reja të cilat ende nuk janë emërtuar. Këto rrugë kanë një gjatësi prej 1 350 metra dhe janë financuar nga buxheti komunal i Malishevës.
/Epoka e re/