Përurohen investimet e reja në Urologji, Kurti: E kemi obligim të krijojmë kushte për mjekë dhe pacientë
Të mërkurën janë përuruar investimet e reja në Klinikën e Urologjisë, të cilat kanë kushtuar 1.2 milion euro.
Të pranishëm në ceremoninë inauguruese kanë qenë kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Kurti ka shprehur falënderim dhe mirënjohje të thellë të gjithë stafit të Klinikës së Urologjisë, teksa ka thënë se është obligim i qeverisë që t’u krijohen kushte mjekëve dhe pacientëve.
“Jemi këtu që të shprehim falënderimin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë juve doktorë, infermiere e infermierë për punën e palodhshme që e bëni dhe ne e kemi për obligim që t’ua krijojmë kushtet edhe juve edhe pacientëve, në mënyrë që ata që janë detyruar të vijnë këtu, të dalin sa më të gëzuar e sa më parë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se javën e ardhshme do të hapen edhe sallat e tjera operative të Urologjisë, e që sipas tij, kjo klinikë tashmë është kthyer në klinikë model në QKUK.