Përurohen investimet rreth 800 mijë euro në Klinikën Emergjente të QKUK-së
Kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli, të shoqëruar nga drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, morën pjesë të martën në përurimin e renovimeve të Klinikës Emergjente brenda QKUK-së.
Nga investimet, kostoja e të cilave arriti shumën rreth 800 mijë euro, kryeministri Kurti cilësoi se sot duket që nuk është e mundshme të njihet Klinika Emergjente për shkak të transformimit rrënjësor që ka përjetuar së brendshmi. “Kemi triazhimin, hapësirën për triazhim, kemi riorganizim të sportelit, kemi nyje sanitare dhe banjot e rregulluara dhe gjithashtu rritjet e numrit të shtretërve nga 20 në 25”, tha ai.
Në prononcimin e tij kryeministri shpjegoi se tashmë me renovimet e bëra, mjekësia dhe telemjekësia janë të integruara në një, falë kamerave që mundësojnë përcjelljen e operimeve në kohë reale. “Në sallën e operimit pamë që tek ndriçimi ekzistojnë edhe kamerat, që do të thotë se operimi mund të përcjellët në kohë reale edhe nga ndonjë konzolium i mjekëve, i kirurgëve që ndodhet jashtë Qendrës Klinike Universitare, në këtë mënyrë mjekësia dhe telemjekësia janë të integruara në një, ashtu si janë ndriçimi i këndshëm e profesional me kamerën e cila e përcjellë në kohë reale operimin e pacientit apo të aksidentuarit”, deklaroi kryeministri Kurti.
Ndër të tjera, shtoi se pacientët në Klinikën Emergjente do t’i kenë shanset maksimale për shërim dhe për shpëtim, sepse i kemi mjekët e infermierët të përkushtuar bashkë me kushtet e dinjitetshme dhe moderne të punës. “Ky investim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është një lloj mirënjohje e jona për profesionalizmin dhe për devotshmërinë e këtij stafi ndër shumë e shumë vite në kushte në të cilat kanë qenë kundër tyre e jo në shërbim të tyre”, përfundoi kryeministri, duke falënderuar personelin shëndetësor.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se këto investime dhe procese jemi duke i kaluar jo vetëm në QKUK, por edhe me investime edhe në spitalet regjionale, edhe me përzgjedhjen e mjekut familjar që tash po bëhet në mjekësinë primare, edhe me ngritjen e buxhetit për barna edhe në primare edhe në sekondar e terciare, si dhe në funksion edhe të sigurimeve shëndetësore.