Përurohen pajisjet e reja të laparaskopisë në ShSKUK
Ministri në largim i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se avancimi i aparaturave dhe metodave mjekësore në shëndetësi po ec me hapa të mëdhenj.
Sipas tij, tani edhe Kosova ka nisur të zë hapin me këto shërbime.
Këto komente Ismaili i ka bërë me rastin e përurimit të pesë laparaskopëve të rinj në vlerë 350 mijë euro të blerë për nevoja të QKUK-së dhe spitaleve të përgjithshme.
Ministri Ismaili ka treguar se e gjithë kjo po bëhet e mundur falë luftës kundër korrupsionit dhe riorientimit të fondeve.
“Duke luftuar korrupsionin po arrijmë që të bëjmë gjëra të mira në shëndetësi. Sot po përurojmë pajisjet e reja të cilat do të rrisin cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve mjekësore në Kosovë. Ky modernizim i shërbimeve mjekësore do të shkoj në të mirë të pacientit dhe profesionistëve shëndetësorë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se këto nuk janë vetëm pajisje, por një funksionalizim i shumë shërbimeve në shëndetësinë kosovare.
“Në vazhdën e modernizimit të institucioneve tona publike, kjo aparaturë tashmë edhe është montuar, një në kirurgji abdominale dhe një në urologji. Ky mjet na ndihmon që t’u ikim intervenimeve klasike në kirurgji, me prerje të mëdha. Pra këto nuk mund ti shohim vetëm si pajisje, por si funksionalizim i shërbimeve shumë të rëndësishme në shëndetësinë kosovare. ShSKUK-ja ka pasur vetëm një laparaskop të stërvjetëruar i cili ka pasur përdorim të limituar”, është shprehur ai.
Laparaskopët e blerë për nevoja të ShSKUK-së janë: 2 për Kirurgjinë Abdominale, 1 për Gjinekologjinë, 1 për Urologjinë dhe 1 për Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës.
Laparaskopi është një pajisje për intervenime kirurgjike me prerje minimale.
Avantazhet e këtyre ndërhyrjeve janë të mëdha: zvogëlon shumë hemorragjinë (gjakderdhjen), shkurton kohën e qëndrimit në spital nga 1 javë apo më shumë në 24 orë.
Intervenimi me laparaskop zvogëlon dhimbjen, shkurton kohën e rehabilimit, shkurton rrezikun e infeksioneve, etj.
/Epoka e re/