Perurohen tribunat e reja dhe zhveshtoret në stadiumin e Malishevës
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Daulina Osmani, përuruan të enjten tribunat dhe zhveshtoret e reja në stadiumin e qytetit “Liman Gegaj” në Malishevë.
Ky projekt përfaqëson një investim të përbashkët ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Malishevës. Në ceremoninë e përurimit ishin të pranishëm zyrtarë komunalë, përfshirë drejtorin për sport, Fitim Shala, dhe drejtorin e urbanizmit, Avdi Morina, i cili ka mbikëqyrur realizimin e projektit. Shiriti i përurimit u pre nga kryetari Kastrati, zëvendësministrja Osmani dhe kapiteni i FC Malisheva, Dreni Kryeziu.
Kryetari Kastrati falënderoi zëvendësministren Osmani për mbështetjen e MKRS-së, duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës sportive në Malishevë. Ai shprehu besimin se ky bashkëpunim do të vazhdojë, duke përfshirë edhe pjesën tjetër të tribunave dhe përmirësimin e infrastrukturës përcjellëse.
“Malisheva është bërë një qendër sportive me rezultate të dukshme në futboll, atletikë, not dhe sporte të tjera. Çdo investim në sport është investim në të ardhmen e rinisë sonë të shëndetshme”, ka theksuar Kastrati. Zëvendësministrja Osmani vlerësoi bashkëpunimin e mirë me Komunën e Malishevës dhe përgëzoi sportistët për kushtet e reja të krijuara. Ajo premtoi se MKRS-ja do të vazhdojë të investojë në infrastrukturën sportive të Malishevës dhe jo vetëm, duke mbështetur më tej zhvillimin e sportit. Ajo gjithashtu përgëzoi FC “Malisheva” për sukseset e fundit dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm. Pas ceremonisë, Kastrati dhe Osmani inspektuan nga afër tribunat e reja dhe të gjithë kompleksin e stadiumit, i cili shquhet për stazat e tij të atletikës, duke e bërë Malishevën një qendër të rëndësishme sportive në nivel kombëtar.