Përurohet ambulanta e mjekësisë familjare në fshatin Vllahi
Sot është bërë përurimi i Ambulantës së Mjekësisë Familjare në fshatin Vllahi, pas renovimit të tërësishëm të objektit përmes buxhetit të Komunës së Mitrovicës.
Me rastin e përurimit të kësaj AMF-je, morën pjesë kryetari i komunës, Bedri Hamza, nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Fahri Shabani, drejtor të drejtorive komunale, asamblistë, drejtori i QKMF-së “Dr. Nexhat Çuni”, Fevzi Sylejmani, përfaqësuesi dhe banorët e fshatit Vllahi.
Kjo ambulantë me renovimin e tërësishëm është shndërruar në një ambient tejet modern, punimet e të cilës kanë mbaruar sipas planit dinamik, ku tash e mbas banorët e Vllahisë do të marrin shërbime efikase në hapësira me standarde të larta e kualitative.
Në fjalimin e tij, kryetari i komunës, Bedri Hamza, tha se çdo herë është kënaqësi për të kur përuron punë të mira, e sidomos në sektorin e shëndetësisë, ku sipas tij dy prioritet kryesore pa i nënvlerësuar të tjerat janë arsimi dhe shëndetësia.
“Sot po e promovojmë ambulantën në Vllahi, me qëllim që të jemi sa më afër juve dhe të ju ofrojmë shërbime sa më cilësore. Ku sa i përket infrastrukturës dhe objekteve shëndetësore jam i sigurt që asnjëherë prej që ekziston shëndetësia primare në Mitrovicë nuk ka pasur kaq shumë investime. Ne kemi arritur që të kompletojmë stafin shëndetësor, të rrisim furnizimin me barna esenciale, pasi e përuruam AMF-në në Vllahi, javën tjetër do të vazhdojmë me AMF-në në Zabërgj, pastaj në Shipol, Rashan, ndërsa tri të reja do të ndërtohen në Koshtovë, Stantërg dhe Iliridë”, është shprehur Hamza.
Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Fahri Shabani, ka potencuar se transformimi pozitiv i Shëndetësisë primare të Mitrovicës po ecën sipas planit.