Përurohet atraksioni turistik “Auto-Kampi” në Prizren
Komuna e Prizrenit, pas realizimit të projekteve të ndryshme për pasurimin e ofertave turistike në Prizren, si kajaku, çiklizmi malor, paragllajdi, via-ferrata, shtigjet e ecjeve dhe vende për piknik, ka bërë lansimin e projektit të ri për “Auto-Kamp”, i pari i llojit të tillë në Kosovë.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka gjatë lansimit ka njoftuar se në kuadër të këtij projekti janë krijuar hapësira për dhjetë vetura për kamping, hapësira gjelbëruese, ulëse për pushim, pajisje sportive dhe lodra për fëmijë.
“Në këtë vend tanimë turistët vendorë dhe ndërkombëtarë mund furnizohen edhe me rrymë dhe nevojat tjera që iu duhen një vend-kampingu të tillë. Kjo është vetëm faza e parë e këtij projekti, ku investimet do të vazhdojnë edhe më tej me kyçjen e ujit, vendosjen e dush-kabinave, si dhe do të bëhet qasja në rrugën kryesore”, ka shprehur Haskuka.
Ai po ashtu ka falënderuar shoqatën e bjeshkatarëve Sh.B. Sharri për gatishmërinë e treguar për mirëmbajtjen e kësaj hapësire që ndodhet vetëm një kilometër larg nga qendra e qytetit, ndërkaq ftoi të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë por edhe ta mbrojnë këtë ambient, si pasuri e të gjithë qytetarëve.
(Q.R / Epoka e re)