Përurohet çerdhja e parë publike në Prizren, marrin pjesë Kurti dhe Nagavci
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë marrë pjesë në përurimin e çerdhes së parë publike në Prizren, ku i pranishëm ka qenë edhe kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka.
Me këtë rast, Kurti ka thënë se me programin qeverisës e fëmijëve u është kushtuar vëmendje e veçantë, duke u ndarë fëmijëve deri 2 vjet nga 20 euro në muaj.
Madje, ai ka premtuar se do të hapen 160 çerdhe të reja për 4 vitet e ardhshme.
“Në Prizren nuk ka pasur asnjë institucion parafillor publik, por kemi tetë të tilla private e sot kemi një ngjarje kaq të rëndësishme me hapjen e parë të çerdhes publike. Mu bë zemra mal që këtu kemi 220 fëmijë që do të edukohen nga edukatoret që do të kujdesen për formësimin e karakterit te tij. Në programin tonë u kemi kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve ku u kemi ndarë fëmijëve deri 2 vjet 20 euro në muaj. Dhe, ne kemi premtuar se do të hapim 160 çerdhe të reja për 4 vitet e ardhshme”, ka thënë Kurti.