Përurohet dhoma e dëshmive në Inspektoratin Policor
Në ndërtesën e Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) në Hajvali është mbajtur të premten ceremonia e përurimit të “Dhomës së dëshmive të IPK-së” si donacion nga OSBE-ja.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Kryeshefja ekzekutive e IPK-së, Miradie Kelmendi, pasi ka falënderuar OSBE-në për donacionin ajo ka folur për rëndësinë e këtij bashkëpunimi me OSBE-në, bashkëpunim i cili daton që nga viti 2006, vit i themelimit të IPK-së.
“OSBE-ja ka mbështetur projektin tonë për rregullimin e kushteve teknike dhe të sigurisë për dhomën e dëshmive, e cila deri më tani i ka munguar organizatës tonë”, ka thënë Kelmendi, duke theksuar se janë të përkushtuar të punojnë në drejtim të ngritjes së integritetit policor, duke realizuar një mbikëqyrje demokratike, të përgjegjshme dhe profesionale në Policinë e Kosovës.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Imzi Zeka, e ka vlerësuar IPK-në si një nga institucionet më kredibile të Kosovës.
Ai ka thënë se është i bindur që me këtë donacion, puna e IPK-së do jetë akoma më profesionale, pasi që dëshmitë që sigurohen gjatë hetimeve, kanë një vend tashmë të sigurt dhe me standarde për ruajtjen tyre.
Ndërsa, zëvendës ambasadori i OSBE-së, Kilian Vahl, ka thënë se me këtë donacion sikurse edhe me aktivitetet tjera kanë synuar që Inspektorati Policor i Kosovës të ketë standardet e policive ndërkombëtare dhe në përputhje me standardet e Kodit Evropian të Etikes Policore.
/Epoka e re/