Përurohet këndi i lojërave në “Parkun e Lirisë”
“Parkut të Lirisë” në Ferizaj i është shtuar edhe këndi i lojërave për fëmijë. Ky projekt është realizuar falë investimit të realizuar nga Komuna e Ferizajt, me qëllim rirregullimin e kësaj zone, duke maksimizuar potencialin dhe mundësitë që ofron ky park.
Për të përuruar dhe parë punimet që janë kryer aty, ka dalë kryetari i Ferizajt, Agim Aliu së bashku me drejtorin e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Zekir Bytyqi dhe atë të Infrastrukturës, Arbër Bytyqi. Me këtë rast, kryetari Aliu, ka thënë se përveç këtij investimi do të realizohen edhe disa projekte në këtë zonë.
“Sigurisht se këto hapësira, këto kënde të lojërave begatojnë edhe më shumë këtë vend. Ky nuk do të jetë projekti i vetëm, sepse ne tashmë e kemi shpalosur projektin që dalëngadalë do të fillojë se implementuari edhe tek ish-çerdhja e vjetër e qytetit, por sigurisht se duke u zhvilluar projekti do të zhvillohet edhe krijimi i parkut që e kam thënë edhe në rastet e tjera, do të jetë një ndër parqet e hapësirat më të mira të qytetit”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se qeverisja e tij është e vendosur të realizojë edhe një varg projektesh në këtë zonë siç është kompleksi argëtues e sportiv, pishina gjysmëolimpike dhe stadiumi.
“Synojmë që të ndërtohet bulevardi nga Qendra e Kulturës deri tek kompleksi i shkollave tek Gjimnazi ‘Kuvendi i Arbërit’, ku edhe aty do të ketë kënde të lojërave si dhe investime të tjera infrastrukturore”, është shprehur Aliu.
/Epoka e re/