Përurohet laboratori i Mikrobiologjisë në Klinikën Infektive

24 shkurt 2020 | 15:17

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës të hënën u përurua laboratori i modern mikrobiologjisë, i bërë me fondet e projektit “Mbështetje për Sistemin Shëndetësor të Kosovës”, nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim.

Në këtë ceremoni morën pjesë drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.

Ministri Vitia ka theksuar se përurimi i këtij laboratori është një tregues i qartë se ky projekt italian po jep rezultate të drejtpërdrejta në fuqizimin e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore kosovare, për t’u ballafaquar me sfida serioze të shëndetit publik, siç janë edhe infeksionet spitalore dhe rezistenca antimikrobike.

“Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar vitin që shkoi planin strategjik për rezistencën antimikrobike  2019-2021 si dhe ka nxjerrë vendimin për themelimin e Grupit Ndërsektorial për Kontrollin e Rezistencës Antimikrobike (GNKRA), i cili është përgjegjës për zbatimin e planit të veprimit. Në zbatim të këtij plani të veprimit që  përfshin gjithsej 47 aktivitete të parapara për t’u realizuar për tri vjet, 26 prej këtyre aktiviteteve mbështeten nga AICS, në mesin e të cilave edhe aktiviteti që po realizohet sot me përurimin e laboratorit klinik të Mikrobiologjisë”, ka theksuar ai.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë do të jetë në nivel të përgjegjësisë që i takon, duke mbështetur institucionet në adresimin e çdo problemi të shëndetit publik dhe njëkohësisht, duke mbajtur partneritetin serioz me të gjithë kontributorët në shëndetësi siç është edhe ky investim i përuruar sot.

Në fund, ministri Vitia, ka shprehur besimin e tij se pajisjet e reja të përdoren, ruhen e mirëmbahen me kujdes, në mënyrë që t’i shërbejnë përmirësimit të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe ngritjes së cilësisë së tyre.

Ai ka falënderuar Agjencinë italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim për investimin e bërë. Ndërsa ambasadori italian, Nicola Orlando, ka thënë se Italia do të jetë përkrahë partnerëve siç është Kosova. “Gjendemi para sfidave që nuk kanë kufij. Italia është në linjën e parë që përballet me këto sfida, mbi të gjitha Italia do jetë afër partnerëve të saj, në këtë rast Kosovës. Ky projekt që pamë sot është punë dhjetëvjeçare e Agjencisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë”, ka thënë ambasadori Orlando.

Ai ka shtuar se janë shumë të kënaqur me kapacitetin dhe vullnetin e punëtorëve shëndetësorë të Kosovës.

Duke e falënderuar për investimin e bërë, drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, ka ndarë një mirënjohje për ambasadorin italian dhe Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Situata te PSG-ja nuk është aspak e mirë, aq më…