Përurohet libri për veprimtarin Gani Zejnullahu

26 nëntor 2023 | 08:36

Është përuruar dje pasdite në Prishtinë libri monografik “Gani Zejnullahu, një jetë në shërbim të kombit dhe popullit”, kushtuar atdhetarit, humanistit dhe veprimtarit Gani Zejnullahu, me autore të bijën e tij Mevlude Zejnullahu.

Ky libër monografik hedh dritë mbi jetën dhe veprën e një atdhetari të shquar, një humanisti dhe veprimtari të pamohueshëm për kombin dhe popullin shqiptar.

Vepra dhe kontributi i Gani Zejnullahut u cilësuan lart nga të pranishmit.

Ai do të kujtohet gjithmonë për virtytet e larta njerëzore dhe patriotike që ka shfaqur në çdo aktivitet të jetës së tij.

Libri është i pajisur me dokumente, fotografi dhe faksimile dhe rrëfime të bashkëpunëtorëve të Zejnullahut. Përmes kësaj monografie lexuesit mësojnë për aktivitetet e shumta të Zejnullahut nga rrëfimet e atyre që kanë bashkëpunuar me të dhe nga fotografitë dhe faksimilet.

Ky libër shpalos në mënyrë të veçantë shembullin dhe dedikimin e tij në shërbim të kombit dhe popullit. Vepra e Gani Zejnullahut do të jetojë përgjithmonë dhe nëpërmjet saj brezat e ardhshëm do të kenë një model si të punohet për komb dhe popull.

 

Fjala e Mevlude Zejnullahut, të bijës së Gani Zejnullahut

 

Të nderuar bashkëpunëtorë, shokë, miq të babit tonë Gani Zejnullahu dhe të familjes sonë,

Të dashur familjarë,

Sot jemi mbledhur këtu për të kujtuar dhe për ta nderuar jetën, veprën dhe trashëgiminë e një burri të veçantë, të pazëvendësueshëm dhe të papërsëritshëm të babait të Naimit, Elfetes, Shpresës, Mimozës dhe timit.

Sot është dyvjetori i ndërrimit të jetës së tij, dhe është ditë e rëndësishëm për t`u munduar të shpalosim dhe të ndajmë me njëri-tjetrin sadopak kujtime mbi jetën dhe veprimtarinë e tij.

Në këtë ditë dhe çdo ditë tjetër që nga 25 nëntori i vitit 2021, si familje e si fëmijë të tij jemi shumë të pikëlluar që nuk është fizikisht mes nesh. Por, ndihemi plot nder dhe krenari për njeriun e mirë që ishte, për respektin e madh dhe veprën të cilën e la pas dhe që ia shprehën të tjerët sa ishte gjallë, por edhe pas vdekjes.

Si trashëgimtarë të tij gjithmonë do të kemi plot përgjegjësi t’i ndjekim hapat e tij dhe kemi obligim ta nderojmë emrin e tij.

Vdekja e babës sonë, Ganiut, ishte një moment shumë i rëndë dhe një ngjarje shumë e ndjeshme dhe e vështirë për të përballuar dhe ende vazhdon të mbetet e tillë, por gjithnjë mirënjohëse Zotit që ai burrë i mrekullueshëm ishte baba ynë, për vitet që jetuam bashkë dhe që pjesë të shpirtit të tij mbajmë brenda shpirtit tonë.

Babi ynë ka punuar gjithë jetën e tij, që nga mosha e hershme e rinisë, duke e mbajtur dhe u kujdesur për gjithë familjen. Angazhimi i tij politik e humanitar përkufizon një pjesë të mirë të gjithë jetës së tij. Unë prej që e mbaj mend veten e kujtoj babin si një njeri që gjithnjë ka qenë në terren, në lagje, në aktivitete, dhe gjithnjë ka qenë i pari që është lajmëruar dhe është pritur zgjidhja nga ai për ndonjë problem apo telashe e cila ka ndodhur në lagjen tonë.

Babi ruante me shumë kujdes gjithë dokumentacionin dhe shënimet nga aktiviteti i tij politik e humanitar, madje shpesh mbrëmjeve kur rrinim në shtëpi, i merrte dokumentet të cilat i mbante me një çantë te zezë dhe i shfletonte me kujdes, sikur frikësohej se do t’i dëmtonte. Kur i vendoste prapë në vendin e njëjtë, thoshte këto janë histori dhe fakte. Nëse në të ardhmen i kërkon dikush, e dini ku janë. Të them të drejtën, nuk është që më linin shumë përshtypje ato fjalë sepse, mbi të gjitha, mendoja se babi do të jetonte gjatë, dhe ai do të ishte gjithmonë që do të merrej me ato dokumente.

Kur babi u sprovua me sëmundjen dhe, pas saj, jetoi 13 muaj e 7 ditë, për të cilat ditë falënderoj Zotin miliona herë që na dha mundësinë të jemi bashkë, të kujdesemi për të dhe të shijojmë më shumë se kurrë praninë e tij, më lindi ideja që dokumentet e tij, punën e palodhshme, historinë të cilën ai me shokë e ndërtuan në rrethana jo të lehta, t’i përmbledh në një libër monografik. Asnjëherë në jetë nuk do ta harroj gëzimin në fytyrën e tij kur ia thashë këtë ide. E di që ti e bën – më tha plot mallëngjim e me sy që i shkëlqenin.

Idenë e librit ia kam përmendur thuajse çdo ditë përgjatë atyre 13 muajve e 7 ditëve. E kemi diskutuar bashkë, por edhe pse ditëve të fundit të jetës së tij shihej qartë se shëndeti i tij ishte dobësuar, nuk doja të mendoja se ky libër do të promovohej pa qenë ai këtu i pranishëm. Por, ajo që ishte caktuar për të, nuk kishte si mos të ndodhte.

Disa muaj pasi babi kishte rikthyer shpirtin te Zoti i tij, mora t`i shfletoja dokumentet të cilët ai i kishte renditur me kujdes dhe dashuri. Në çdo dokument ndieja aromën dhe prekjen e tij. Kam pasur shumë momente të rënda emocionale gjatë përgatitjes së këtyre dokumenteve. Më dukej vetja shumë e vogël  ta përmbledhja jetën aq të madhe dhe të vlefshme të babit tim. Jam copëtuar miliona herë, por më shumë se miliona herë jam ndier krenare dhe e lumtur që gjithë jetën do të quhem trashëgimtare e veprimtarit Gani Zejnullahu, po ashtu e gjithë familja ime.

Humbja e prindit, e babës në këtë rast, ndryshon përgjithmonë jetën e fëmijës pavarësisht sa i rritur e i formuar mundet me qenë. Ndryshojnë prioritetet, dëshirat dhe ne përgjithësi botëkuptimet. Mes shumë gjërave që kanë ndryshuar tek unë, është se e di vlerën që duhet t’i japim shoqërisë, e këtë e kam mësuar nga shokët e babit, e kam mësuar nga ju, të pranishëm. Te secili nga ju e shohim hijen e babit. Jeni bërë të rëndësishëm për ne edhe ju xhaxhallarët tanë.

Ju falënderojmë të gjithëve për kujdesin! Natyrisht se dhembja është më e lehtë kur rrethohesh nga njerëzit me të cilët jetuan e vepruan me babin. Në këtë mes na mungon shumë shoku i ngushtë i babit, Abit Kastrati, i cili disa muaj para tij ndërroi jetë. Lutem që shpirtrat e tyre të jenë takuar në botën e përjetshme.

Nuk mundem pa falënderuar këtu para jush Ali Sekiraqen, i cili ma ka dhënë komplimentin më të mirë në jetë. Kur fillova t’ju telefonoj e t’ju njoftoj për idenë e librit e t`ju lus që të jeni pjesë e tij, i kujtoj të gjitha detajet e bisedave me të gjithë ju. Xhaxhi Ali ishte në mesin e atyre që u gëzua shumë dhe më tha: “Ganiu është krenuar gjithmonë me ty dhe paska pasë të drejtë”.

Baba ynë e ka ndërtuar jetën tonë me punë të ndershme e sakrifica na i ka plotësuar të gjitha kushtet. Na ka edukuar, shkolluar dhe na ka pavarësuar. Vlerën e shkollimit dhe besimit te vetja unë e kam ndier pasi që ai ka ndërruar jetë dhe po e ndiej çdo ditë e më shumë. Uroj që të këtë gjithnjë e më shumë baballarë sikurse yni, që i duan dhe u besojnë njësoj fëmijëve të tyre, e sidomos sakrifikojnë për pavarësimin e vajzave.

Babi ishte një njeri i jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet. Ai ishte një njeri i vlerave të forta, atdhetar i përkushtuar, familjar, mbi te gjitha prind i mrekullueshëm.

Ky libër monografik shpalos pak nga puna e madhe të cilën babi im e bëri bashkë me ju dhe shumë të tjerëve të cilët nuk gjenden këtu me ne. Ky libër ju përket të gjithëve juve, i përket gjeneratës dhe profilit të aktivistit të babit tim, atyre që kontribuuan në rrethana jashtëzakonisht të rënda dhe e trasuan rrugën për gjeneratat e reja.

Unë në emër të familjes sime shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë që jeni këtu për të ndarë këtë ditë me ne.

Falënderime dhe mirënjohje edhe për shtëpinë botuese “Koliqi” për punën dhe profesionalizimin!

Babi ynë do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona!

Ai është dhe do të mbetet lutja jonë kryesore drejtuar Zotit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marcus du Sautoy Jeta mund të na ngjajë shpesh herë…