Përurohet Muzeu i Dëshmorëve në Landovicë të Prizrenit
Me rastin e shënimit të Ditës Çlirimit të Prizrenit, kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka, bashkë me drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz, deputetë të Kuvendit të Kosovës, familje të dëshmorëve, shoqata të dala nga lufta dhe drejtorë komunalë, pasi kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, kanë përuruar Muzeun e Dëshmorëve në Landovicë.
Me këtë rast, kryetari Haskuka ka deklaruar se 22 vjet pas përfundimit të luftës Kosova për herë të parë u bë me Muze të Dëshmorëve, ku do të ekspozohen dokumente dhe eksponate të dëshmorëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Po ashtu, ai ka theksuar se vizitorët e këtij muzeu nga sot do të mund t’i shohin të grumbulluara në një vend dokumentet që e dëshmojnë gjenocidin e kriminelëve serbë në Kosovë, ku aktualisht janë duke u ekspozuar mbi 215 biografi individuale të dëshmorëve të rënë, hartat rajonale të operacioneve të UÇK-së si dhe, po ashtu, filma dokumentarë kushtuar dëshmorëve.
“Ne edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të punojmë maksimalisht, me të gjithë institucionet e vendit, familjet e dëshmorëve dhe shoqatat e dala nga lufta, për ta pasuruar sa më shumë këtë muze me dokumente të tjera”, ka thënë Haskuka.