Përurohet në Kamenicë zyra për intervista me fëmijë dhe kontakte fëmijë – prindër
Në kuadër të projektit “Përkrahja e Qendrës për Punë Sociale në përmirësimin e shërbimeve në shtëpi dhe ato rezidenciale për fëmijët dhe të rriturit në nevojë”, është bërë hapja e zyrës për intervista me fëmijë dhe kontakte fëmijë – prindër tek Qendra për Punë Sociale (QPS) në Kamenicë.
Hapja e kësaj zyre do të jetë ndihmesë për komunikimin e fëmijëve me prindërit që tashmë nuk kanë kontakt si pasojë e ndarjes së tyre.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se të gjithë prindërit mund të shihen me fëmijët e tyre dhe t’i shfrytëzojnë ato hapësira së bashku.
“E drejta e kontaktimit të fëmijëve me prindin tjetër është e drejtë e njohur me Ligjin për familje dhe Konventën Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dhe ne po përpiqemi që t’u ofrojmë kushte më të mira të gjitha kategorive”, ka thënë Kastrati.
Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian, bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, është mbështetur nga organizata ndërkombëtare “Save the Children në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Politika të Mirëqenies Sociale dhe Kërkim dhe është implementuar nga organizata joqeveritare “Network of Peace Movement”.
/Epoka e re/