
Përurohet një park i ri në Prizren
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi, së bashku me përfaqësuesit e OJQ “Ec ma Ndryshe”, kanë bërë përurimin e parkut të ri në lagjen “Lakuriq”.
Me këtë rast, kryetari Haskuka ka deklaruar se ndihet i gëzuar që tanimë edhe kjo lagje do të ketë një ambient rekreativ për të gjithë banorët, e sidomos për fëmijët, të cilët tashmë kanë hapësira si këndi i lojërave, fusha e futbollit e të basketbollit.
Duke deklaruar se do të vazhdojnë të krijojnë ambiente dhe hapësira të reja të gjelbra e rekreative, kryetari Haskuka u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i mbrojnë dhe të kujdesen për ta.
Ndërsa drejtori Krasniqi, duke falënderuar OJQ-në “Ec Ma Ndryshe” për këtë projekt të përbashkët me komunën, u shpreh se me këtë organizatë do të vazhdojnë të punojnë edhe në realizimin e projekteve të tjera.