Përurohet obelisku në nderim të punëtorëve shëndetësorë
Në prag të festës së Pavarësisë së Kosovës është inauguruar obelisku në nderim të sakrificës dhe kontributit të punëtorëve shëndetësor ndër dekada.
Obelisku u dedikohet punëtorëve shëndetësorë ndër dekada.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë se ky obelisk do t’i kujtojë vuajtjet e punëtorëve shëndetësorë.
“Më në fund arritëm ta jetësojmë atë vendim që morëm me Oda që përmes këtij monumenti që do të jetë për komunë si vend referimi dhe ja ku jem në përurimin e tij. Tani e tutje do të kujtohen nga të gjithë, ne ku do t’i kujtojmë vuajtjet sakrificat, gjakun e derdhur shumë shpesh nga ana e punëtoreve shëndetësor. Të jetë kjo ditë përkujtimore për punëtorët shëndetësor. Të jetë ditë që respektohet puna e kolegëve tanë”, ka thënë Sejdiu.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i quajti heronj të pandemisë punëtorët shëndetësorë që kanë vdekur.
Ai ka thënë se ky monument tregon respektin e të gjallëve për ta.
“Fati i mantelbardhëve është i lidhur me popullin e tyre. Dita e sotme më hyjnore në përvjetorin e Pavarësisë është moment për të kujtuar ata. Përkujtojmë dhe përulemi për heronjtë e pandemisë. Ky monument është shenjë e vogël respekti nga ne te gjallët. Le të na shërbejë devotshmëria e kolegëve dhe humanizmi i tyre”, ka thënë Latifi.
Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për ndërtimin e spitalit të Prishtinës. Ai ka thënë se kanë krijuar bashkëpunim në këtë drejtim së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë.