Përurohet objekti i banimit social në Stantërg të Mitrovicës

16 shkurt 2018 | 15:18

Është përuruar objekti i banimit social në Stantërg të Mitrovicës, i cili do të shërbejë për 17 familje me kushte të rënda sociale.

Objekti është financuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe kap shumën prej 294 mijë euro, ndërkaq komuna e Mitrovicës ka ndarë parcelën dhe do të bëjë shpërndarjen e këtyre banesave për 17 familje.

Në ceremoninë e përurimit kanë marrë pjesë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli si dhe kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ministri i MPMS-së, Skender Reçica, ka thënë se ndjehet i lumtur që sot këto 17 familje përfituese nuk do të jenë më jashtë, por do të kenë një kulm mbi kokë dhe do të gjejnë sërish ngrohtësinë e shtëpisë, që iu ka munguar për shumë vite.

Reçica ka thënë se MPMS-ja ka realizuar edhe projekte tjera të ndërtimit me karakter social, si ndërtimi i 10 shtëpive për familjet në nevojë në Podujevë dhe blloku i banimit për rastet sociale me 25 apartamente në Kaçanik.

Ai është zotuar se brenda këtij mandati qeverisë, do të vazhdojë edhe me projekte tjera të tilla në mënyrë që të mos ketë më asnjë familje të pastrehë në Kosovë.

Ndërkohë kryeparlamentari Kadri Veseli, u ka premtuar familjeve përfituese se 50 për qind të kuzhinave do t’ua mobilojë ai përmes donatorëve, ndërsa pjesën tjetër përmes institucioneve.

Veseli ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm sepse familjet kanë nevojë për strehim.

Sipas tij, nuk duhet të lejohet që familjet të jetojnë në kushte të vështira.

Ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka falënderuar kryeparlamentarin Veseli dhe ministrin Reçica, të cilët mundësuan që në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës  t’i gëzojnë këto familje me kushte të renda sociale.

Po ashtu, kryetari Bahtiri ka treguar se komuna ka formuar edhe komisionin adekuat që do të shqyrtojë kërkesat për strehim dhe se brenda dy jave, përfituesit do t’i marrin çelësat.​

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Institutit për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, ka rekomanduar…