Përurohet objekti i ish-shtabit të UÇK-së në Rancë të Shtimes
Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale në bashkëpunim me Komuna e Shtimes kanë inauguruar objektin e ish-shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Rancë.
Për ndërtimin e këtij objekti kishte dhënë kontribut edhe familja Halili, nga fshati Rancë, pasi objekti është ndërtuar në pronën e tyre. 26 vjet më parë në këtë vend kishin nisur organizimet e para të UÇK-së për Zonën e Nerodimes, ndërkohë objekti ishte vjetërsuar pas luftës.
Komuna e Shtimes në vitin 2016 nëpërmjet Kuvendit Komunal e pati shpallur si zonë me interes të përgjithshëm këtë zonë kadastrale dhe kishte nisur procedurat për shpronësim, ndërkohë në vitin 2021 pati ndarë gjithsejtë 20 mijë euro për inicimin e këtij projekti.
Isa Asllani në emër të fshatit Rancë dhe në emër të shoqatave të dala nga lufta, tha se është nder dhe krenari për gjithë qytetarët që tashmë po përurohet shtabi i UÇK-së, aty ku nisën organizimet e para të Zonës së Nerodimes
“Në emër të fshatit Rancë tha se në bashkëpunim me institucionet komunale dhe me Agjencinë për Mirëmbajtjen e Vlerave të Luftës kanë arritur deri këtu te ky përurim i kësaj pune të madhe. Lavdi dëshmorëve, nder dhe respekt familjeve të tyre”, ka thënë Asllani.
Shemsi Syla, zëvendësministër në Ministrinë e Mbrojtjes, me këtë rast tha se para vetes po sheh shumë figura që së bashku ishin pjesë të luftës për ta sjellë lirinë e vendit.
“Është nderë dhe krenari të marrësh pjesë në përurimin e një shenjë të lindjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të organizimit dhe vizionit që kishte. Është vepër e madhe që po e bëni këtë përurim që para gjithë botës po e dëshmoni një histori dhe një trashëgimi origjinale e cila kishte vlera të çmuara që reflektoi në botë dhe pastaj bota reflektoi ndaj nesh. Pikërisht është mirë që si dëshmi e asaj për ta argumentuar për drejtësinë që po e bëjnë shokët tanë dhe udhëheqësit e luftës në Hagë, të cilët bën një luftë të drejtë. Kjo është një dëshmi që duhet transmetuar dhe që duhet të bartet brez pas brezi”, ka thënë Syla.
Fatmir Limaj, ish anëtar i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, tha se Ranca shënon daljen publike të të UÇK-së në këtë zonë.
“Pas konsultimeve me shokët në këtë pikë që ishte bërë pikë kalimi, këtu në këtë vend kemi fjetur bashkë me shumë shokë, me Ymer Alushanin, heoin e Kosovës, me Ismet Jasharin- Kumanoven. Këtu në këtë zonë kanë kaluar shumë dëshmorë e që sot Kosova qëndron mbi themelet e tyre. Ishte pozicion i jashtëzakonshëm strategjik. Nuk ishte e rastësishme përzgjedhja e këtij shtabi. Familjet u kthyen në shërbim të luftës së UÇK-së në këtë vend”, ka thënë Limaj.
Themeluesi i kësaj pike të UÇK-së, Isak Musliu ka thënë se është krenar që është emëruar aso kohe nga Shtabi i përgjithshëm të bëjnë organizimin dhe zgjerimin e UÇK-së në këto treva.
“Pas analizave kemi marrë vendim që të vendosemi aso kohe këtu në Rancë duke u bazuar në forcat e armikut në proporcion me forcat tona të UÇK-së duke u bazuar në pozicionet gjeostrategjike të konfiguracionit që kishte Ranca. Kemi filluar me shumë pak ushtar dhe me kushte shumë të rënda të infrastrukturës , me pak logjistikë e të tjera, por ia kemi dalë përkundër pengesave që na u janë bërë nga një pjesë e faktorit ose grupeve të caktuara qoftë të brendshme apo të jashtme. Ja kemi dalë sepse e kemi pasur popullatën e Rancës me vete”, ka thënë ai.
E, kryetari i Shtimes Qemajl Aliu, në fjalën e tij përshëndetëse tha se është krenar dhe i lumtur që po e përurojnë këtë objekt të trashëgimisë së luftës.
“Ky monument është simbol i vlerave dhe sakrificave të heronjve tanë që kanë luftuar për t’ia siguruar vendit tonë një të ardhme të ndritur. Lavdia dhe krenaria është pikërisht këtu rreth këtyre maleve që sot e gjithmonë do të dëshmojnë atributet e atyre që ishin nismëtar të themelimit të këtij shtabi nga djemtë dhe vajzat më të guximshme të UÇK-së. Ky shtab ishte çerdhe e guximit, trimërisë dhe mobilizimit në komunën tonë dhe në zonën e Nerodimes”, ka thënë Aliu.
Në këtë tubim ishin pjesëmarrës edhe drejtuesit e PDK-së në Shtime dhe ish kryetari i Komunës, Naim Ismajli.
Ndërkohë nëpërmjet një shkrese ky subjekt politik, ka sqaruar se në vitin 2014 ish qeverisja e tyre e kanë votuar në Kuvend fillimin e procedurave për ndërtimin e këtij projekti.
“Ky projekt ka filluar ne vitin 2014 nga Qeverisja e PDK-se dhe është votuar për dy shtabet e UÇK-së në Rancë dhe Pjetershticë. Projekti i Rancës është vonuar pasi që pronarët e pronave nuk janë pajtuar me shumën e ndarë financiare për vlerësimin e pronës dhe kanë dërguar lëndën në Gjykatën Themelore. Në vitin 2021 për vitin 2022 ne kemi ndarë shumën prej 20 mijë eurove, të cilat Qemajl Aliu i pati keqpërdorur duke i investuar në projektin e Tregut në Shtime. Ndërsa, ky projekt është realizuar nga Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale”, thuhet në shkresën e PDK-së në Shtime. /Telegrafi/