Përurohet objekti i ri i shkollës “Dituria” në Kaçanik
Është përuruar objekti i ri shkollës fillore “Dituria” në Ivajë të Kaçanikut. Kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit si dhe prindërit për objektin e ri shkollor, duke shtuar se tashmë po përmbushet edhe një objektiv i institucioneve komunale, për ndërtimin e shkollave të reja si dhe për krijimin e kushteve sa më të mira për mësimnxënie.
Ilazi ka thënë se është një moment i veçantë, dhe një dritë shprese për të ardhmen e vendit.
Edhe drejtori i kësaj shkolle, Nexhati Luta, ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për objektin e ri shkollorë, derisa ka premtuar suksese të reja.
Ai ka thënë se objekti i vjetër tashmë nuk kishte kushte për mësim, si dhe ishte bërë një vend i rrezikshëm për nxënësit.
Më tutje, Luta ka falënderuar institucionet komunale për investimet e realizuara në këtë objekt.
Nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit i ka uruar edhe zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Azem Guri.
Ky objekt i ri shkollor është komplet investim nga Komuna e Kaçanikut, ndërsa ka kushtuar mbi 100 mijë euro.
/Epoka e re/