Përurohet objekti i shkollës “Asim Vokshi” në Panorc të Malishevës
Të hënën është përuruar objekti i ri i shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Asim Vokshi” në Panorc.
Në ceremoninë e përurimit, morën pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, drejtor të drejtorive komunale, zyrtarë të drejtorisë për arsim, banorë të fshatrave Panorc e Rud, e të cilët bashkë me nxënësit dhe mësimdhënësit, e bënë përurimin e objektit të ri të kësaj shkolle.
Pasi i ka uruar, nxënësit, mësimdhënësit dhe banorët, i pari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se si qeveri komunale, janë duke bërë përpjekje për rritje të cilësisë në shkolla.
“Jemi duke investuar në infrastrukturën shkollore, në hapësirën e nevojshme dhe krijimin e kushteve sa më të mira, me qëllimin e vetëm, rritjen e cilësisë dhe arritjes së sukseseve në arsim”, ka thënë Kastrati.
Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Arbëreshë Krasniqi, në fjalën e rastit, i ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e këtij objekti modern shkollor.
Edhe drejtori i shkollës, Bali Rudi, i ka falënderuar të gjithë për kontributin e dhënë, në ndërtimin e objektit të shkollës, e në veçanti Komunën e Malishevës dhe Drejtorinë për Arsim dhe Edukim, dhe më pas folur edhe për historikun e shkollës, që nga viti 1947 e deri më sot.