Përurohet palestra sportive në Skenderaj
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani, të mërkurën mori pjesë në ceremoninë e përurimit të palestrës sportive në Skenderaj, ku në rolin e nikoqirit i pranishëm ishte edhe kryetari i kësaj Komune, z. Bekim Jashari.
Palestra sportive në Skenderaj është projekt i trashëguar që nga viti 2009, i cili është përfunduar falë mbështetjes së dhënë nga Ministria gjatë këtij viti, duke u bazuar në memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Skenderajt.
Zëvendësministrja Osmani në fjalën e saj uroi që në këtë sallë të luhen sa më shumë ndeshje e të fitohen sa më shumë kupa, si dhe të dalin talent të rinj, të cilët do ta bëjnë krenarë jo vetëm Skenderajn, por edhe gjithë Kosovën.
Ajo gjithashtu shtoi se sikurse në këtë projekt, Ministria do të angazhohet maksimalisht që t’i përfundojë edhe të gjitha projektet e tjera që kanë pasur ngecje dhe nuk kanë përfunduar në afatin e duhur.
Në hapjen e kësaj palestre prezentë ishin edhe skuadrat e volejbollit, KV Skenderaj dhe KV Prishtina, të cilat më pas zhvilluan ndeshjen që ishte e planifikuar mes tyre.