Përurohet projekti i ujësjellësit nga i cili do të përfitojnë dhjetë fshatra të Skenderajt
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, së bashku me ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, kanë përuruar të mërkurën projektin e sistemit të ujësjellësit, nga i cili do të përfitojnë 10 mijë banorë, nga dhjetë fshatra të kësaj komune.
Në emër të Skenderajt, Jashari ka falënderuar Qeverinë zvicerane për financimin e këtij projekti.
“Jam tejet i lumtur që sot së bashku me ambasadorin zviceran Jean Hubert Lebet dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli, përuruam projektin më vital për qytetarët e komunës sonë, siç është ky i sistemit të ujësjellësit, nga i cili do të përfitojnë 10 000 mijë banorë, nga dhjetë fshatra të Skenderaj, përfshirë Qubrelin, Kllodernicën, Kopiliqin e Epërm, Kopiliqin e Poshtëm, Kostërcin, Rakinicën, Turiqecin, Tushilën, Vajnikun dhe një pjesë të fshatit Kërnicë, projekt ky në vlerën prej 1 milion e 230 mijë euro. Në emër të qytetarëve të komunës sonë, veçanërisht banorëve përfitues, falënderoj Qeverinë e Zvicrës dhe të Kosovës, si financues të këtij projekti, nëpërmjet programit mbështetës për ujësjellës dhe kanalizime në zonat rurale të fazës së pestë”, ka thënë Jashari.
Po ashtu, ai ka falënderuar edhe impelmentuesin e këtij projekti, i cili sipas tij ka bërë një punë të shkëlqyeshme.
“Shprehim gjithashtu një falënderim të veçantë për implementuesin – konzerciumin ‘Dorsch/CDI’, i cili ka bërë një punë të shkëlqyer dhe duhet marrë shembull se si duhet të realizohen projektet. Shumë shpejt do të nisim projektin tjetër të ngjashëm, faza e VI, me të njëjtit donatorë, nga i cili do të përfitojnë fshatrat: Açarevë, Abri e Poshtme, Likoc, Llaushë, Makërmal, Marinë, Murgë, Plluzhinë, Rezallë, Ticë e Izbicë. Ditë të mira po vijnë për Skenderajn”, ka deklaruar Jashari.
/Epoka e re/