Përurohet projekti për krijimin e ambientit në Gorozhup si destinacion turistik
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka marrë pjesë në përurimin e projektit për krijimin e ambientit në Gorozhup si destinacion turistik.
Në këtë përurim kanë marrë pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i Bashkisë së Hasit në Shqipëri, Liman Morina, drejtoresha e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz, zyrtarë dhe asamblistë komunalë, si dhe pjesëmarrës të tjerë.
Kryetari Haskuka në fjalën e tij përshëndetëse i ka kushtuar rëndësi të veçantë historisë së këtij vendi, i cili edhe pse gjendet në pikën kufitare, gjithmonë ka qenë si pikë bashkuese mes dy vendeve, si dhe paralajmëroi për bashkëpunimin me komunat nga Shqipëria përtej kufirit dhe institucionet e tjera, për ndërtimin e një rruge për qarkullim të automjeteve, në mënyrë që të forcohet edhe më tej lidhja mes Kosovës dhe Shqipërisë nëpërmjet rajonit të Hasit.
Projekti i në fjalë është realizuar me investimet e Komunës së Prizrenit nga ana e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, ku është bërë rregullimi i hapësirave përreth, ndërtimi i kroit, vendosja e ulëseve dhe shtrimi i rrugës me zhavor për të pasur qasje më të lehtë në këtë lokacion.