Përurohet Qendra e Mjekësisë Familjare në Neredime
Banorët e fshatrave të zonës së Jezercit tani e tutje do t’i kenë më afër shërbimet mjekësore. Kjo falë Qendrës së re të Mjekësisë Familjare, e cila është inauguruar të enjten me ç’rast është thënë se i kontribuon konceptit sa më afër qytetarëve që është edhe bazë e mjekësisë familjare.
Në përurimin e kësaj qendre, ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i shoqëruar nga drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bekim Ademi, drejtorja e Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare Nadire Imeri, si dhe zyrtarë të tjerë.
Me këtë rast, drejtues të shëndetësisë ferizajase, të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, mjekë e qytetarë kanë folur për këtë projekt si i domosdoshëm për banorët e kësaj ane. Haki Kashtanjeva nga Neredimja, është një ndër të shumtit që do të kërkoj shërbime në këtë qendër.
Ai ka thënë se tashmë e kanë më të lehtë qasjen në shërbimet mjekësore, duke falënderuar përkushtimin e institucioneve dhe të kryetarit Agim Aliu, për orientimin e drejtë të këtij projekti.
Por, ai ka pasur edhe një kërkese që kjo qendër t’i plotësoj me shërbime të gjitha nevojat e qytetarëve të kësaj ane.
Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Bekim Ademi, ka thënë se kjo do të jetë një qendër funksionale nga fakti se po synohet që përpos mjekut dhe infermierëve në kuadër të kësaj qendre të jenë edhe njësitë tjera, si stomatologjia, laboratori e barnatorja.
Ngritja e kësaj Qendre ka kushtuar hiq më pak se 130 mijë euro, fonde këto që janë siguruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komuna e Ferizajt. Në këtë qendër shërbime do të marrin banorët e fshatrave Manastirc, Balaj, dy Nerodimeve dhe fshatit Jezerc.
/Epoka e re/