Përurohet shërbimi i Kardiologjisë Intervente në Spitalin e Prizrenit
Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit u përurua shërbimi më i ri i Kardiologjisë Intervente, ngjarje në të cilën mori pjesë kryeministri i Albin Kurti, zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz.
Shërbimi i cili fillon nga sot dhe që u cilësua jetik nga kryeministri Kurti, u funksionalizua falë bashkëpunimit të Qeverisë së Luksemburgut e cila ka ndarë 2 milionë euro, dhe Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht ShSKUK-së me investim që kap vlerën rreth 1 milion euro.
“Tash shërbimi i ri do të mbuloj të gjithë rajonin e Prizrenit, do të ndihmojë të shpëtojë jetë dhe ta ulë listën e pritjes. Fillimisht, shërbimi do të trajtojë pacientët nga lista e pritjes së rajonit të Prizrenit, ndërkaq rastet akute do të trajtohen menjëherë”, ka deklaruar kryeministri, i cili shtoi se ky investim përfshin të gjitha pajisjet e nevojshme mjekësore, inventarin dhe trajnimet profesionale për stafin brenda dhe jashtë Kosovës.
Krahas reduktimit të kohës së pritjes së pacientëve, pritshmëritë për rezultatet nga ky investim janë edhe shërbimet me cilësi të lartë e me kosto minimale për qytetarët, derisa pritet që shërbimi të ketë ndikim edhe në uljen e shkallës së vdekshmërisë në rajonin e Prizrenit.
Kryeministri Kurti vlerësoi se zgjerimi i këtij shërbimi është i domosdoshëm jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të rasteve, por edhe meqenëse suksesi varet shumë nga koha e ndërhyrjes.
“Në vitin 2023 kemi pas performancë rekorde. Kemi pasur në shërbimin tonë të Kardiologjisë mbi 4,100 procedura të kryera, përfshirë këtu 2,500 vendosje stentesh. Ndërkaq, 4 vjet më parë, në vitin 2019, ishin 3,300 procedura dhe mbi 1,700 vendosje stentesh”, shpjegoi tutje ai.
Falënderime dhe mirënjohje kryeministri shprehu për Qeverinë e Luksemburgut dhe personelin shëndetësor, derisa i uroi të gjithë për inaugurimin e sotëm.
Ngjashëm, drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Narqize Arenliu Hoxhaj, duke falënderuar Qeverinë e Luksemburgut dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës tha se dita e sotme është një ngjarje me rëndësi të veçantë sepse ky shërbim ofron mundësi që të shpëtojmë jetë, pasi që reagimi adekuat dhe i shpejt është i rëndësishme në emergjencat kardiake.
Në anën tjetër, duke theksuar se kujdesi shëndetësor është e drejtë fundamentale e njeriut, Ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz, deklaroi se Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit është një dëshmi e përpjekjeve tona të përbashkëta dhe bashkëpunimit drejt qëllimit tonë për të krijuar spitale dhe infrastrukturë moderne. “Luksemburgu ka mbështetur sektorin shëndetësor të Kosovës për pothuajse dy dekada dhe kontribuoi në ndryshime thelbësore në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor”, shtoi ai duke u shprehur i lumtur që sot së bashku po shohim rezultatet e arritura si produkt i bashkëpunimit