Përurohet shtatorja e heroit Xhavit Haziri
Në komunën e Obiliqit të martën është përuruar shtatorja e heroit të Kosovës, Xhavit Haziri.
Në ceremoninë e inaugurimit të kësaj shtatoreje kanë marrë pjesë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi dhe qytetarë të shumë.
Presidenti Hashim Thaçi në fjalën e tij ka thënë se Xhavit Haziri, ishte personalitet eminent i luftës tonë për liri, shtet dhe bashkim kombëtar.
Thaçi ka theksuar se heroi Haziri është emblemë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetit tonë.
“Xhaviti ishte mjeshtër i organizimit, njeri i ideve kreative për rezistencë kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Njeri i pathyeshëm në burgjet serbe, e në të njëjtën kohë për t’u rikthyer gjithmonë si pas burgut të parë, gjithashtu edhe pas vuajtjes së burgut te dytë në organizim, e pastaj nga vitet 1997-1998 duke ardhur edhe drejtpërdrejtë në istikamet e luftës, duke vizituar zonat operative të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e duke qëndruar në selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i bashkërenduar aktivitetet me simbolin e rezistencës kombëtare Adem Demaçin në Prishtinë, dhe të gjitha ato angazhime emblematike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Ndërsa, lideri i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se Xhavit Haziri ka qenë ideolog i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Nëse ka pasur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ideolog të organizmit dhe veprimeve të armatosura kundër Jugosllavisë, ka qenë pikërisht Xhavit Haziri. I tillë ka rënë edhe në burgun e dytë. Nuk kanë mundur t’ia nxjerrin asnjë fjalë. Në ditën e parë pas burgut, është lidhur prapë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”,ka deklaruar Veseli.
Ai ka theksuar se jo rastësisht në shtatorin e vitit 1998 qeveria serbe, nëpërmjet organeve të saj, ka kidnapuar Xhavit Hazirin, për të cilin veprim ai ka thënë se ka dokumente zyrtare.
“Kjo është edhe arsyeja pse e kam nisur çështjen e Tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Jo vetëm të flasim, por ne duhet ta çojmë Serbinë dhe kriminelët e saj në gjykatë dhe aty të gjykohen, sepse aty e kanë vendin”, është shprehur Veseli.
Veseli ka theksuar se rrugëtimi i Xhavit Hazirit, Afrim Zhitisë, Fadil Vatës, komandantit legjendar Adem Jashari, heroit Zahir Pajaziti dhe të gjithë heronjve të tjerë, do të vazhdojë, por ka bërë thirrje për më shumë modesti nga ana e bashkëluftëtarëve.
Në anën tjetër, kryeministri në dorëheqje dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Xhavit Haziri ishte një nga veprimtarët më të devotshëm të çështjes sonë kombëtare.
“E kemi për nder që pasardhësit tanë të mësojnë për rrugëtimin e lavdishëm të atyre që i dolën zot Atdheut, përmes mishërimit të tyre në bronz, siç ishte një nga veprimtarët më të devotshëm të çështjes sonë kombëtare, Hero i Kosovës, Xhavit Haziri. Përulem me respekt para jetës dhe veprës së tij”, ka deklaruar Haradinaj.
/Epoka e re/