Përurohet shtatorja e kolonel Ahmet Krasniqit
Sot në Vushtrri është bërë zbulimi i shtatores së kolonel Ahmet Krasniqit.
Aty morën pjesë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, kryeministri Avdullah Hoti, kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ministra dhe deputetë.
Në këtë ceremoni, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Tirana zyrtare ia ka borxh Kosovës zbardhjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit.
Ajo u shpreh se kolonel Krasniqi u vra nga dikush që e pati për detyrë që ushtarët t’i lë pa komandant dhe se kjo ishte goditje ndaj idesë së unifikimit që sipas Osmanit mungon edhe aktualisht në Kosovë.
Osmani ka thënë se Kosova e ka të ardhmen e zorshme derisa nuk zbardhen vrasjet politike.
“Jam vërtet i nderuar që sot, këtu në Vushtrrinë e Hasan Prishtinës, mund t’ju drejtohem me një fjalë rasti, në këtë ceremoni të veçantë e shumë të rëndësishme jo vetëm për qytetin tuaj, por për të gjithë Kosovën, në ceremoninë e përurimit të shtatores së Heroit të Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi. Përtej simbolikës së zakonshme të nderimit të një njeriu kaq mashështor si Ahmet Krasniqi, ky akt nënkupton rikthimin e tij ngadhënjyes në vendlindje, rikthimin te njerëzit e vet, që e duan dhe e njohin si komandant të parë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, si nismëtar institucional i luftës për liri dhe pavarësi, si Hero i Republikës së Kosovës”, ka thënë kryeministri Avdullah Hoti në fjalën e tij.
“Prandaj, dita e sotme, për të gjithë ne, për të gjithë ata që ia duan të mirën Kosovës, shënon rilindjen shpirtërore të Kolonel Ahmet Krasniqit, shënon kthimin e tij përfundimtar ndër ne, ashtu siç ishte ai në jetë, i urtë dhe hijerëndë, vizionar dhe profesionist i shkëlqyeshëm ushtarak, njeri i fjalës dhe i sakrificës”, është shprehur kryeministri.
E ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka thënë se plumbat që goditën Krasniqin ishin plumba kundër lirisë së Kosovës.
“Kolonelin filluan ta rrethojnë injorantet, mashtruesit, sabotuesit profiterët e dezinformuesit, që të gjithë vegla e instrumente në shërbim aparaturës shtetërore të Serbisë. Plumba e shkrepur në natën e 21 shtatorit mbi trupin e kolonelit, ishin plumba kundër lirisë”, ka deklaruar Quni.