Përurohet shtatorja e Tahir Sinanit në Bajram Curr
Përfaqësues politik të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë marrë pjesë në zbulimin e shtatores së heroit të kombit, Tahir Sinani, e vendosur në Bajram Curr.
Kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi, ka falënderuar Ali Ahmetin, Talat Xhaferin, Ramush Haradinajn, Fatmir Limajn dhe Ramiz Lladrovcin “që na nderuat sot në ‘Malësinë e Gjakovës’”.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili edhe ka postuar foto të zbulimit të shtatores, ka thënë se Tahir Sinani i takon brezit të patriotëve shqiptarë të lëvizjeve për liri, brezit të luftëtarëve të cilët ranë me armë në dorë që të jetojë i lirë shqiptari.
“Me heroizmin e tij në luftërat çlirimtare, nderoi jo vetëm Tropojën por mbarë kombin shqiptar. Pikërisht në Ditën e Dëshmorëve, Tahir Sinani në Bajram Curr, po përjetësohet në bronz. Angazhimi i tij jetësor në shërbim të kombit shqiptar do të kujtohet e nderohet përgjithmonë!”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.