Përurohet shtëpia-shtab e UÇK-së në Halabak të Podujevës
Është përuruar Shtëpia-Shtab e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Halabak të Podujevës. Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi.
Bulliqi ka shprehur vlerësimin e thellë për ushtarët e UÇK-së që dikur kërkuan strehim në këtë vend, duke theksuar shndërrimin e saj nga një strehë e kohës së luftës në një simbol të qëndresës dhe kontributit për lirinë e Kosovës.
Postimi i plotë i Bulliqit në “Facebook”:
Sot mora pjesë në manifestimin e mbajtur me rastin e përurimit të Shtëpisë Shtab të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Halabak. U rikthyen kujtimet dhe krenaria për sakrificën e ushtarëve të UÇK-së në këtë zonë. Ky vend, që dikur ishte strehë e ushtarëve që luftonin për lirinë e vendit, sot është restauruar dhe kthyer në një simbol të qëndresës dhe kontributit për lirinë e Kosovës.
Një falënderim i veçantë i takon familjes Maqastena, e cila në momentet më të vështira të luftës hapi dyert e saj për t’u shndërruar në një pikë të rëndësishme të UÇK-së. Kjo familje vazhdon të tregojë përkushtimin dhe dashurinë për atdheun, duke dhënë shtëpinë e tyre për restaurim, në mënyrë që brezat e ardhshëm ta kujtojnë dhe ta nderojnë këtë periudhë historike të Kosovës.
Lavdi e nderime dëshmorëve, heronjve dhe martirëve të Kosovës!
Respekt e mirënjohje luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve që kontribuan për organizimin e luftës çlirimtare!